Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Videoja e presidentit të Sudanit të Jugut duke urinuar në pantallona u përhap gjerësisht – autoritetet arrestojnë gjashtë gazetarë

Videoja e presidentit të Sudanit të Jugut duke urinuar në pantallona u përhap gjerësisht – autoritetet arrestojnë gjashtë gazetarë

Gjashtë gazetarë janë arrestuar në Sudanin e Jugut për shkak të qarkullimit të pamjeve që tregojnë presidentin Salva Kiir duke urinuar në pantallona në një ngjarje zyrtare, tha të shtunën sindikata kombëtare e gazetarëve.

Pamjet nga dhjetori tregonin pantallonat gri të presidentit 71-vjeçar morën ngjyrë tjetër derisa ai qëndronte stoik për himnin kombëtar në një ngjarje për përurimin e një rruge. Videoja nuk u transmetua kurrë në televizion, por qarkulloi në rrjetet sociale, transmeton Telegrafi.

Gazetarët, të cilët punojnë me Korporatën shtetërore Transmetuese të Sudanit të Jugut, u arrestuan të martën dhe të mërkurën, tha Patrick Oyet, president i Unionit të Gazetarëve të Sudanit Jugor.

Ata “dyshohen se kanë njohuri se si u përhap videoja e presidentit duke urinuar”, tha ai për Reuters.

Ministri i Informacionit i Sudanit të Jugut, Michael Makuei dhe zëdhënësi i Shërbimit të Sigurisë Kombëtare, David Kumuri nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.

Kiir ka qenë president që kur Sudani i Jugut fitoi pavarësinë në vitin 2011. Zyrtarët qeveritarë kanë mohuar vazhdimisht zërat që qarkullojnë në mediat sociale se ai nuk është mirë. Vendi ka qenë i përfshirë në konflikt për pjesën më të madhe të dekadës së fundit.

Gazetarët e arrestuar janë operatorët e kamerës Joseph Oliver dhe Mustafa Osman; redaktor i videos, Victor Lado; kontribues Jacob Benjamin; dhe Cherbek Ruben dhe Joval Toombe nga dhoma e kontrollit, tha Oyet.

Themes by WordPress