Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka dënuar me 3 vite burgim ish-kryebashkiakun e Kukësit Safet Gjici, i cili për shkak të gjykimit të shkurtuar do të vuajë përfundimisht 2 vite burg për akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Ndërsa Alma Kaçi, protagonistja në videon seksuale me ish-kryebashkiakun Gjici, është dënuar me një vit burg për prostitucion.
Me dhënien e vendimit, Gjykata e Posaçme bëri edhe riakualifikim të veprave penale për të cilat u shpallën fajtorë Gjici dhe Kaçi.
Në muajin Qershor 2023, 1 muaj pas zgjedhjeve lokale kur dhe Gjici u rizgjodh si kryebashkiak i Kukësit, në rrjetet sociale u shfaq një video erotike e Safet Gjicit me Alma Kaçit në zyrën e tij në Bashkinë e Kukësit. Gjici u largua nga detyra në atë kohë, ndërsa SPAK nisi hetimet për të dhe Alma Kaçin.
Hetimet nxorrën në pah se Alma Kaçi kërkonte tender për rehabilitimin e qenve të rrugës në territorin e Bashkisë së Kukësit, dhe kjo ishte arsyeja e takimit me Gjicin. Momentin intim mes tyre, Alma Kaçi e kishte filmuar vetë përmes një kamera sekrete.
Sipas SPAK, fakti që Gjici pas aktit seksual delegon veprimet për projektin e propozuar nga Kaçi te vartësi i tij, ka çuar në konsumimin e veprës penale të korrupsionit. Por kjo akuzë ra pasi u rikualifikua nga GJKKO në shpërdorim detyre.
Por Safet, në mbrojtjen e tij para gjykatës sot ( e mërkurë 7 Shkurt 2024), pretendoi se i ishte ngritur kurth dhe u kërkoi falje familjarëve dhe qytetarëve të Kukësit.