Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Vetmia e pasinqertë politike e Presidentes

Vetmia e pasinqertë politike e Presidentes

Shkruan: Afrim Kasolli

Ditën e djeshme në mënyrë krejt të papritur dhe “befasuese” presidentja Vjosa Osmani, shpërtheu kundër aleatëve më të ngushtë politikë. Duke u shprehur me terma të kryeministrit Kurti, ajo e akuzoi pushtetin se i ka tradhtuar interesat shtetërore dhe se me letrën e dërguar në Këshill të Evropës, një ditë para takimit të Këshillit Ministror, i ka shërbyer projektit të presidentit serb Aleksandër Vuciq për nxjerrjen e Asociacionit nga pakoja e Marrëveshjes bazike të Brukselit. Sepse siç dihet deri më tani, kryeministri Kurti, ka insistuar se kush do që e përmend të parin para së dytës, i ka introkejktuar kërkesat e Serbisë.

Mirëpo, e vërteta është se një gjë të tillë e ka bërë edhe vet e para shtetit. Madje është zotuar publikisht, së bashku me ata që dje i sulmonte, para raportueses së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dora Bokojanis. Prandaj, më shumë se sa për ta kritikuar këtë lëvizje të fundit të Qeverisë së Kosovës, e vërteta e këtij reagimi mund te jetë te sedra e saj e lënduar për injorimin që e ia ka bërë pushteti në këtë riafrimin të themelimit të Asociacionit. Pra ku më herët informohen eksponentë të shoqërisë civile në Gjermani sesa ajo si drejtuese e politikës së jashtme.

Sidoqoftë, ky tension nxori në shesh edhe vetminë e saj politike. Askush nuk u tregua i guximshëm nga lista Guxo për t’u identifikuar me kritikën e saj. Dhe kjo është dëshmi e peshës së saj të papërfillshme politike. Tashmë ajo e gëzon vetëm pozitën e të parës së shtetit, por pa pushtet real.

Në këtë mënyrë, Vjosa Osmani e kryer misionin e saj politik në shërbim të Albin Kurtit. Ja ka ofruar një kontingjent të votave të LDK-së. E ka shpëtuar sipas saj, ndonëse nuk ka përmendur emra, por kuptohet se për kënd ishte fjala, nga kërcënimi në listën e zezë të SHBA-së. Dhe tash ka ardhur koha për divorc jo paqësor.

Sidoqoftë, fati i saj politik nuk do të thotë që merr fund këtu. Ashtu kështu, kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku disa herë gjatë këtij mandati ka qenë në funksion të saj. Me qëndrimin në sallë të Kuvendit ai e ka garantuar kuorumin për zgjedhjen e saj si presidente. Kurse me bllokimin për t’i dhënë nënshkrimet për ta adresuar para Gjykatës Kushtetuese mosveprimin e Presidentes në mosemërimin e Kryeprokurorit të shtetit, ai i njohu asaj gati atribute monarkike. Veprim ky që ishte komplet në shërbim të saj dhe në kundërshtim me traditat republikane dhe demokratike të shtetit. /TVArbëria/

Themes by WordPress