Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Vetëvrasja në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, ShKK themelon Komision Hetues

Vetëvrasja në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, ShKK themelon Komision Hetues

Rrethanat e vetëvrasjes së A.G në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, do të hetohen nga një Komision i Shërbimit Korrektues të Kosovës. Parandalimi i këtyre rasteve vlerësohet si i pamundur, derisa bëhet thirrje që shqiptimi i masave të paraburgimit të bëhen më me përgjegjësi.

Si i dyshuar për drogën e sekuestruar muajin e kaluar në Pejë, A.G po qëndronte në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.

Por, pikërisht në këtë vend ai i dha fund jetës së tij.

Për rrethanat e ngjarjes, Shërbimi Korrektues ka themeluar një Komision Hetues.

“Në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, rreth orës 19:00, është gjetur i vetëvarur me jelek të burgut në dhomën e tij i burgosuri me inicialet A.G. Menjëherë pas zbulimit të rastit, oficerët korrektues dhe stafi shëndetësor i Qendrës ndërmorën të gjitha përpjekjet e nevojshme, duke e nisur me shenja jete në Emergjencën e SHSKUK-së, por përpjekjet për ta rikthyer në jetë rezultuan të pasuksesshme”, thuhet nga SHKK.

Parandalimi i këtyre rasteve nga ana e stafit të Shërbimeve Korrektuese, po shihet si pothuajse e pamundur.

“Nuk ka Shërbim Korrektues i cili mund t’i parandaloj këto raste, por nuk është faji aq shumë i Shërbimit Korrektues i cili detyrohet t’i pranojë, ta bëj ekzekutimin e vendimeve të Gjykatave, sa është faji ia tyre që pa ndonjë kriter apo duke i shkelur të gjitha kriteret, edhe ato humane, i dërgojnë njerëzit nëpër burgje ku ata nuk e kanë vendin. Shërbimi Korrektues nuk mundet çdo të paraburgosuri t’ia vë një roje e ta vëzhgojë 24h, se në fund të fundit nëse ia vendosë një roje çdo të paraburgosuri, ia thyen privatësinë”, thotë Behxhet Shala nga KMDLNJ.

Për këtë ngjarje, televizioni kontaktoi me Prokurorinë Themelore në Pejë dhe atë në Prishtinë, por asnjëra prej tyre nuk dhanë përgjigje.

Kjo e fundit, ishte e pa-qasshme gjatë ditës.

Për rastin e A.G, organet kompetente janë në pritje edhe të rezultateve të autopsisë.

Powered by WordPress