Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Vetëvendosje lë shumë prapa me vota partitë e tjera edhe në Mynih

Vetëvendosje lë shumë prapa me vota partitë e tjera edhe në Mynih

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon numërimi i votave të mërgatës që kanë votuar nëpër përfaqësitë diplomatike.

Nga votat në njërin prej vendvotimeve në Konsullatën e Kosovës në Mynih të Gjermanisë, shumica e votave shkojnë për Lëvizjen Vetëvendosje.

Nga 762 vota, partia e Albin Kurtit, ka marrë 614.

E dyta është Partia Demokratike e Kosovës e cila ka marrë 76 vota.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë 45 vota, kurse Koalicioni për Kosovën Fituese ka marrë 21 vota.

Numërimi i votave të mërgatës nga votimi nëpër përfaqësitë diplomatike pritet të përfundojë gjatë ditës së sotme.

Kështu ka deklaruar për Reporteri.net zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

Ai ka thënë se pas përfundimit të numërimit të këtyre votave, do të fillojë numërimi i fletëvotimeve nga votimi përmes postës.

“Aktualisht janë duke u numëruar votat nga votimi në përfaqësitë diplomatike, në ndërrimin e pasdites do të mbesin 11 vendvotime të cilat pritet të përfundojnë sonte. Rezultatet nga numërimi i sotëm së shpejti do të shfaqen në platformën elektronike. Pas tyre do të fillojmë me numërimin e votave të mërgatës që kanë votuar nëpërmjet postës”, ka thënë Elezi.

Sipas të dhënave të KQZ-së janë rreth 69 mijë pako me fletëvotime nga votimi me postë, por janë aprovuar 62 mijë e 990 sosh.

Numërimi i votave të diasporës, pason me numërimin e votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta.

Vota me kusht janë 12 mijë e 801, ndërsa numri i votave të personave me nevoja të veçanta është 2,597.