Shkruan: Afrim Kasolli
Takimi i djeshëm ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, me motiv kërkimin e një konsensusi politik për temën e Presidentit, megjithatë ka vënë në pah mungesën e vullnetit të të dyja palëve për ta përkrahur kandidaturën e Presidentes aktuale Vjosa Osmani edhe për një mandat për pozitën në fjalë.
Mirëpo, po ashtu ai takim si dhe zhvillimet pararendëse treguan tërthorazi edhe për kalkulimet e Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut për ta zhveshur veten nga përgjegjësia për sakrifikimin eventual të Vjosa Osmanit.
Lideri i Vetëvendosjes la të nënkuptohet se ai nuk mund ta sigurojë personalisht mbështetjen e mjaftueshme për të parën aktuale të shtetit, nëse LDK nuk është unike. Sepse mungesa e ndonjë deputeti në ditën e votimit mund të bëjë që të dështojë zgjedhja e saj dhe kështu vendi të zhytet në një krizë të re politike. Prandaj nuk dëshiron ta marrë publikisht atë përgjegjësi dhe ta mbështes zyrtarisht kandidaturën e Vjosa Osmanit, pikërisht për shkak të mungesës së unitetit në LDK.
Në anën tjetër, edhe Lumir Abdixhiku shihet qartë se është nën ethet e frikës nga një polarizim shtesë i raporteve me Vjosa Osmanin. Prandaj, nuk është e rastësishme që është duke u rezerveruar sa i përket kësaj teme. Kurse ditë më parë kishte deklaruar që ka gjasa që sa i përket mos(votimit) të një kandidature eventuale kjo parti të mos ketë qëndrim të përbashkët, por që e tëra të mbetet në vullnetin individual të deputetëve. E tëra kjo që nesër te mund të arsyetohet para Vjosa Osmanit se personalisht ishte pro saj, por mundësitë i kishte të kufizuara.
Ne këtë konteskt, po shihet qartë se si Albin Kurti ashtu edhe Lumir Abdixhiku janë në ankth se si t’i shmangin përplasjet eventuale me të dhe mundësisht ta kenë në krah të tyre në betejat e ardhshme politike, përkundër faktit se nuk kanë gatishmëri për t’ia plotësuar ambicien presidenciale.