Organizatat e dala nga lufta paralajmëruan protestë me datën 26 korrik, në ditën kur sipas tyre Kuvendi i Kosovës pritet të mbajë seancë. Ata po e kundërshtojnë Ligjin për pagën minimale i cili nuk përfshinë këtë kategori. Lidhur me këtë, përfaqësuesit e veteranëve takuan presidenten Vjosa Osmani të cilës i kërkuan që të mos e dekretojë këtë ligj.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, tha se nuk po përfillen nga Qeveria, e as nga Kuvendi.
Ai tha se adresa e fundit ka qenë presidentja, tek e cila shtoi se paraqiten shqetësimet.
“Kishim takim tri organizatat e dala nga lufta dhe paraqitem të gjitha shqetësimet tona që i kemi, përkitazi me shkeljet të ndryshme që vazhdimisht i ka bërë Qeveria e Kosovës dhe i treguam që adresa jonë e fundit ka mbetur presidentja, për shkak se këto detyra që i ka të përcaktuara me ligj e me kushtetutë, nuk i ka shfrytëzuar dhe nuk i ka rregulluar as kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca. Ne i treguam qysh me ligjet e mëhershme që janë dy ligje në fuqi, fare si organizata të dala nga lufta që jemi kategori ligjore, as nuk kanë konsultuar këto organizata për ndryshime ligjore, gjë që e kanë obligim ligjor e as nuk na kanë ftuar asnjëherë edhe në dëgjime publike që t’i shqyrtojmë dhe t’i japim propozimet tona dhe të miratohen po ashtu nga ne. Kemi pasur protesta qysh vitin e kaluar dhe nuk kemi kontakte me kryeministrin qysh vitin e kaluar”, tha ai.
Ai njoftoi edhe për datën kur do të mbajnë protestën e ardhshme.
“Veprimet tona nuk ndërlidhen me presidenten. Presidentja e ka për obligim ta kryejë si duhet punën e saj, sepse paraqet unitetin e popullit dhe nuk duhet të krijojë përçarje. Kundërshtimet tona vazhdojnë, ne veç e kemi të paralajmëruar me datën 26 protestën, atë ditë që mbahet seanca”, deklaroi Klinaku.
Edhe kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari tha se kërkesë e tri organizatave është që të mbajnë protesta dhe të bllokojnë punën e parlamentit.
Ai tha se kërkuan që të mos e nënshkruajnë Ligjin për Pagën Minimale.
“Kërkesa jonë ishte që të mos dekretojë, mos ta nënshkruajë dhe presidentja tha se ka tre profesorë të paanshëm politikisht, që janë ekspertë të kësaj fushe dhe paanshëm do t’i shohin të gjitha ato dhe kanë të vlerësuar dhe në fund kanë me vendos…Nëse nënshkruan, unë personalisht edhe Fatoni por edhe Fadili i tham nëse nënshkruan një ligj i cili diskriminon këtë kategori kaq të ndjeshme, ja vendos vetës një njollë të keqe dhe po e bën një punë shumë të keqe”, tha Jashari.
Pas takimit, Jashari theksoi se ky ligj pritet të shkojë për dekret javën e ardhshme.
Në takimin me presidenten Osmani, Jashari tha se biseduan edhe për audio-inçizimet mes shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari Lila me ish-deputetin e Listës Serbe, Slavko Simiq.
Derisa u pyet për komentet e presidentes në lidhje më këto përgjime, ai tha se kjo e fundit nuk ka bërë një gjë të tillë.
/TV Arbëria