Shkruan: Agron Hoti
Po t’i kishe thënë dikush një qytetari të Kosovës, të shkatërruar psiqikisht siç ishte menjëherë pas çlirimit të Kosovës në qershor 1999, se kryeministri i tij në vitin 2026 do të merrte pjesë nëpër tubime komuniste nëpër Evropë, të tilla tubime, pra, që në qëndrime perceptohen si kundër SHBA-së, ai apo ajo do të shprehte mosbesim të thellë si dhe do të zemërohej shumë. Kjo do të ishte më pakta që do ta bënte. Kaq e lartë ishte shkalla e pro-amerikanizmit në Kosovë në vitin 1999, dhe kjo jo pa arsye. Sepse pa SHBA, sot nuk do të kishte shtet e as shqiptarë në Kosovë, se mos të flasim më për shqiptarë në Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës.
Lufta mes komunizmit të drejtuar nga BRSS dhe kapitalizmit të drejtuar nga SHBA është ndër luftërat më të gjata dhe më të strukturuara ideologjike që ka njohur njerëzimi. Kjo luftë ka filluar në letër në Gjermani vitin 1848 (përmes Marksit dhe Engelsit), ndërsa në terren në vitin 1917 në BRSS dhe ka përfunduar në vitin 1991 aty edhe ku kishte filluar.
Pra, efektivisht kjo luftë ka zgjatur 74 vite dhe është fituar bindshëm nga SHBA dhe perëndimi. Ndërkohë, periudha 1917-1999 është periudha, kur sllavo-grekët në bashkëpunim me rusët dhe evropianët po përgatisnin shfarosjen përfundimtare të shqiptarëve. Nuk ka pasur ideologji më të rrezikshme për ekzistencën e shqiptarëve sesa komunizmi. Përderisa gjatë pushtimit grek, romak e osman nuk ekzistonim formalisht në hartë, sapo filluam të ndërtonim hartën tonë, na u hodh menjëherë komunizmi për të na shfarosur përgjithmonë.
Dhe ta shohësh sot kryeministrin e Kosovës të marrë pjesë nëpër tubime komuniste nëpër Evropë, është e pafalshme për të ardhmen e vendit tonë ende të papërfunduar. Paramendoni, sovraniteti i Kosovës edhe sot vazhdon të ruhet nga SHBA, ndërsa drejtuesi i qeverisë e bukëpërmbys atë me lehtësi të padurueshme dhe në mënyrën më të keqe të mundshme. Askush nuk do ta kishte menduar një gjë të tillë më parë. Nuk ka asgjë më të rëndë për një shtet sesa ç’orientimi strategjik. Rritja e antiamerikanizmit është duke e bërë gjithnjë e më e frikshme. Në këtë zbraztësirë po fiton terren bota orientale, pra Lindja, së cilës historikisht sherrin ia kemi parë.
Pjesëmarrja nëpër tubime komuniste bashkë me mbështetjen qytetare që ka Kryeministri aktual e ekspozon Kosovën dhe diasporën tonë në shkallën ndër më të lartat në Evropë kundër SHBA-së dhe pro-komunizmit. Jo rastësisht po nxitet islami politik dhe radikal mes shqiptarëve në Kosovë e diasporë. Këtë po e bën me shumë mjeshtri Rusia nëpër Evropë vetëm e vetëm për ta përshpejtuar rritjen e shkallës së antiamerikanizmit mes shqiptarëve.
Ndaj SHBA dhe perëndimi jo rastësisht na kanë izoluar politikisht dhe diplomatikisht, sepse po thonë: “nëse mbi 51% e qytetarëve të Kosovës dhe atyre në diasporë e duan një kryeministër që vendin e vet e lë të paralizuar politikisht e ekonomikisht, ndërkohë që aktivisht merr pjesë nëpër tubime komuniste gjithandej Evropës, tubime këto që në thelb janë kundër SHBA-së, atëherë pse ne do të duhej ta mbështesnim më tutje këtë vend që promovon hapur antiamerikanizmin?!”.
Nëse kjo rrugë vazhdon, rreziku nuk është më vetëm politik, por ekzistencial. Një komb që harron aleatët që e shpëtuan dhe flirton hapur me ideologji që historikisht e kanë dëmtuar, nuk po gabon thjesht në drejtim, por po luan me fatin e vet. Kosova nuk e ka fare luksin e eksperimenteve ideologjike, as të aventurave anti-perëndimore. Çdo devijim nga boshti strategjik SHBA–Perëndim është një hap drejt izolimit, dobësimit dhe, në fund, rrezikimit të vetë shtetësisë. Prandaj, kjo nuk është më çështje bindjesh politike, por çështje mbijetese kombëtare.