Kryetari i Skenderajt, Fadil Nura, sot ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme, pas reshjeve të dendura të shiut.
Ai ka bërë të ditur se është formuar Shtabi Emergjent, i cili gjendet në terren.
Nura ka theksuar se në disa fshatra gjendja është jo e mirë, ndërkohë që ekipet dhe shërbimet komunale me makinerinë e punës po i trajtojnë me kujdes telashet e shkaktuara.
“Si rrjedhojë e reshjeve të panderprera, nga e cila gjendje është rënduar situata në përgjithësi, si dhe në bazë të kompetencave dhe autorizimeve, kam marrë vendim që të shpallim gjendje të jashtëzakonshme në gjithë territorin e komunës sonë. Kam formuar gjithashtu Shtabin Emergjent, i cili tashmë ndodhet në teren dhe po e bën punën e vet. Që nga orët e mengjesit, secila drejtori me njësitë dhe shërbimet vartëse, ndërkohë që edhe me mbështetje të Shërbimit të Zjarrfikësve, është angazhuar të bëjë maksimumin e punës që situata të jetë nën kontrollë, me gjithë vështirësitë dhe kapacitetet ekzistuese karshi sasisë së madhe të ujit nga reshjet e shiut.”, ka shkruar Nura në Facebook.
Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, sot disa qytete të Kosovës janë përfshirë nga vërshimet. Vërshime janë shkaktuar në komunën e Pejës, atë Gjakovës, Skënderajt, Istogut, Mitrovicës, Podujevës.
Ndryshe, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, sot ka bërë të ditur se si pasojë e reshjeve të ditëve të fundit, sidomos në pjesën perëndimore, veriperëndimore dhe veriore të Kosovës, disa lumenjë kanë paraqitur disa vërshime të shpejta.
IHMK ka potencuar se situata e vështirësuar hidrometeorologjike pritet që të vazhdojë dhe gjatë ditëve në vijim. “Nivelet dhe prurjet e lumenjëve, pritet të ngriten dhe të shkaktojnë vërshime/përmbytje”, është bërë e ditur në njoftimin e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës.
/TV Arbëria