Vërshimet e shkaktuara nga reshjet e fundit kanë bllokuar sërish disa rrugë në territorin e Komunës së Drenasit, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve dhe duke rrezikuar sigurinë e qytetarëve, shkruan TV Arbëria.
Sipas njoftimit të kryetarit të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, aktualisht janë të pakalueshme këto akse rrugore:
-
Drenas – Guri i Plakës
-
Drenas – Kroi i Mbretit
-
Shtrubullovë – Korroticë e Ulët
-
Rruga nga Komorani 1 në drejtim të Komoranit 3
Ndërkohë, qarkullimi në rrugën nga Komorani për Skenderaj, në drejtim të Drenasit, po zhvillohet me vështirësi të theksuara dhe me kolona të gjata automjetesh.
Autoritetet komunale u kanë bërë thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjet e panevojshme, të respektojnë shiritat e ndalimit të kalimit dhe të tregojnë solidaritet me banorët e prekur nga vërshimet. Po ashtu, qytetarët që kanë mundësi ftohen të ndihmojnë në tejkalimin e gjendjes së krijuar.
“Ekipet emergjente janë në terren dhe, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave, po bëjnë të pamundurën për lehtësimin e situatës,” thuhet në njoftimin e kryetarit Lladrovci.
Autoritetet komunale pritet të japin informacione shtesë në orët në vijim, në varësi të zhvillimit të situatës në terren.
/TV Arbëria