Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Veriu dhe çkapja e sistemit të drejtësisë dy nga temat kryesore të partisë në pushtet për zgjedhje

Veriu dhe çkapja e sistemit të drejtësisë dy nga temat kryesore të partisë në pushtet për zgjedhje

Shkruan: Afrim Kasolli

Sa më shumë që po afrohen zgjedhjet e reja parlamentare aq më tepër po kristalizohet fushata elektorale e Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo parti   pretendon ta kërkojë edhe një mandat  të ri katër vjeçar nga qytetarët e Kosovës, mbi ty tema kryesore; vendosjen e sovranitetit dhe ligjshmërisë në veri dhe çkapjen e sistemit të drejtësisë.

Targat, instalimi i kryetareve shqiptarë në katër komunat veriore, ndalimi i qarkullimit të dinarit serb, shpronësimi i tokave në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, Leposaviq dhe Zubin Potok, me qëllim të “realizimit të projekteve infrastrukturore me interes publik”, mbyllja e gjashtë objekteve të Bankës Kursimore të Postës dhe Bankës Popullore të Serbisë në veri të Kosovës, sekuestrimi i vilave të Milan Radoeqicit në afërsi të liqenit të Ujmanit, si dhe shndërrimi i këtij të fundit në atraksion të ri “turistiko-politik”, e deri të nisma për ndërrimin e statusit të urës mbi lumin Ibër, duke bërë atë të qasshme edhe për qarkullim të automjeteve, janë vetëm disa nga argumentet që ky pushtet do t’i përdor si shenjë e triumfit të shtetit të Kosovës në atë pjesë.

Ndonëse, epilogu i kësaj të fundit ende nuk dihet. Shtetet e QUINT-it dhe KFOR-i, kanë deklaruar se kundërshtojnë kategorisht këtë nismë.  Ndërkohë, qortimet ndërkombëtare nuk kanë munguar as për vendimet e mësipërme, se këto veprime janë bëre pa koordinim etj. Kosova është vënë nën masa sanksionuese. Mirëpo, këtë pozicion defansiv ndërkombëtar pushtetit e ka arsyetuar me fitoret e brendshme. Madje edhe think-tanku i njohur amerikan “International Crisis Group”, kohë më parë në punimin, Northern Kosovo: Asserting Sovereignty amid Divided Loyalties”  shkruante se, Kosova është duke e fituar betejën për kontrollin e shumicës së rebeluar serbe në veri, por duke i humbur shpresat dhe mundësitë për normalizim të raporteve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Ndërkohë, protesta e sotme e partisë në pushtet para Prokurorisë Speciale, me motiv zbardhjen e vdekjes së Astrit Deharit, tregon për kauzën tjetër elektorale nga mazhoranca aktuale. Lëvizja Vetëvendosje ka fituar vota me premtimin e madh për ta zbardhur këtë rast. Mirëpo, pas katër viteve në pushtet asgjë nuk ka lëvizur në këtë drejtim. Për më shume është përkeqësuar gjendja e provave të kësaj vdekje.

Prandaj, këtë dështim ajo do ta justifikojë me kapjen sistemit të drejtësisë nga ish-regjimi i vjetër. Në këtë mënyrë, ajo pretendon se i duhet edhe një mandat shtesë për ta çliruar këtë sistem.  Dhe këto sulme nuk janë të reja. Disa herë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës e kanë atakuar gjyqësorin në Kosovë. Madje, në një rast kryeministri Kurti kishte kërkuar nga Gjykata Kushtetuese të bëhet pjesë e garës zgjedhore në mënyrë që të matet me të para popullit. /TV Arbëria

Powered by WordPress