Naim Jakaj, hulumtues i lartë në IKD, thotë se procedura për vendosjen e pagës minimale është bërë në kundërshtim me Ligjin të cilin vet Qeveria ka propozuar.
“Sepse, Ligji tregon që paga minimale përcaktohet në fund të çdo viti kalendarik në përputhje me propozimin e Këshillit Ekonomik dhe Social (KES). Në rast se KES-i nuk paraqet një propozim të tillë, Ministri i Financave, pas informimit të Këshillit Ekonomik dhe Social, ka mundësinë të paraqesë një propozim të ri për Qeverinë e Republikës së Kosovës. Kjo procedurë është shmangur, sepse Këshill Ekonomiko Social nuk ka pasur të konstituuar me fajin dhe përgjegjësinë e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, ku që nga data 18 prill 2023 nuk ka KES të funksionalizuar Rrjedhimisht, vendimi i Qeverisë mund të konsiderohet i paligjshëm, pasi nuk respekton ligjin që vetë Qeveria e ka propozuar dhe që Kuvendi e ka miratuar. Për më tepër, shuma e propozuar prej 350 euro nuk është nënshtruar konsultimeve publike në Platformën Online të Konsultimeve Publike. Kjo mungesë e konsultimeve mund të cenojë transparencën dhe legjitimitetin e vendimeve të marra. Çdo ndryshim në politikën e pagës minimale ka ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien e qindra mijëra punëtorëve dhe stabilitetin ekonomik të vendit. Ndaj, procesi i vendimmarrjes duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe i bazuar në analiza të hollësishme dhe konsultime të gjera me të gjitha palët e interesuara”, thotë Jakaj.
Atdhe Hykolli, Kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, thotë se aktualisht po presin për të parë se çka do të ndodhë.
“Sepse nuk e di se cilën rrugë do të zgjedhin që partneri social të aplikoj këtë pagë minimale. Ne në fakt, nuk kemi bë ndonjë diçka ligjore, për shkak se nga 130 dhe 170 që është paga minimale, është një ndryshim, që të them shumë i vogël dhe sindikatat nuk e pranojnë sepse është shumë pak, por ne nuk kemi hy më tutje, por po bëjmë presion që të ulemi sa më shpejtë, ta bëjmë këshillin ekonomiko social dhe të diskutojmë shumë sinqerisht dhe të kemi një pagë minimale”.
Naim Jakaj thekson, se ashtu siç edhe është paracaktuar në vendimin për rritjen e pagës minimale, ekzekutimin e këtij vendimi duhet ta bëjnë institucionet vartëse të qeverisë, të cilat njëkohësisht bartin edhe pasojat e këtyre ndryshimeve.
“MEF, ATK, Inspektorati i punës kanë përgjegjësinë e zbatimit të këtij vendimi, veçanërisht ATK dhe Inspektorati i Punës. Se si do të minitorohet, zbatohet dhe cilat do të jenë rezultatet, pritet të shihet me 1 nëntor kur dalin pagat e reja”, thotë Jakaj.