Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Shqipëri > Vendimi për mbylljen e TikTok, Rama sulmon Kushtetuesen: E panevojshme, solli efekte

Vendimi për mbylljen e TikTok, Rama sulmon Kushtetuesen: E panevojshme, solli efekte

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e vendimit të qeverisë për bllokimin e TikTok.

Në podcastin “Flasim”, Rama e cilësoi vendimin e gjykatës të panevojshëm, duke argumentuar se masa e ndërmarrë nga qeveria kishte prodhuar tashmë efektet e saj dhe kishte detyruar kompaninë të ndërmarrë disa masa për audiencën shqiptare.

“Falë atij bllokimi filtra algoritmik apo të verifikimit të moshës, kemi një sërë masash që lidhen me gjuhën e dhunës, me vetë gjuhën shqipe që s’ishte fare në radarin e TikTok-ut deri në atë kohë dhe kemi realisht një bashkëpunim konstruktiv me platformën, kështu që ndalimi i përkohshëm solli pikërisht të gjitha këto rezultate. Një kompani shumë miliardëshe erdhi në tryezë bisedimesh me një shtet të vogël, i cili në të gjithë vlerën e vet është nën vlerën e kompanisë dhe nuk është i vetmi shtet”, u shpreh Rama.

Megjithatë, Gjykata Kushtetuese arriti në përfundimin se qeveria nuk kishte provuar se bllokimi i platformës ishte mjeti i vetëm efektiv për të adresuar problemin. Rama deklaroi se vendimet e gjykatave duhet të zbatohen, por sipas tij ato nuk janë të paprekshme nga kritika publike.