Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Vendimi për koalicion me PDK-në, Eman Rrahmani: Hamza figurë unifikuese – Kosova ka nevojë për unifikim të përgjithshëm

Vendimi për koalicion me PDK-në, Eman Rrahmani: Hamza figurë unifikuese – Kosova ka nevojë për unifikim të përgjithshëm

Kandidati i Listës për Familje, Eman Rrahmani, në emisionin N’Pult me Resim Morina ka deklaruar se partia e tij ka zhvilluar takime edhe me subjekte të tjera politike, por ka vendosur që rrugëtimin ta vazhdojë me Partinë Demokratike të Kosovës, duke theksuar rolin unifikues të udhëheqësit të PDK-së.

“Kemi pas takime edhe me partitë tjera por vendosëm që këtë rrugëtim ta bëjmë me PDK-në. Historiku i Hamzës tregon që është një figurë unifikuese e sidomos në këtë periudhë ku Kosova është në gjendjen çfarë ka ardhë, këtë polarizim të shoqërisë edhe përçarjes që janë fut kryesisht me tentativë prej pushtetit. Vendi ka nevojë që të ketë unifikim të përgjithshëm për të mirën e qytetarëve dhe për të mirën e vendit”

Rrahmani: Bashkëpunimi me PDK-në marrëveshje afatgjatë, jo kalkulim elektoral

Rrahmani theksoi se për të, marrëveshjet politike nuk kanë të bëjnë me përfitime personale apo elektorale, duke nënvizuar se prioritet mbetet kauza dhe ndryshimi i gjendjes në vend.

“Kjo është marrëveshje afatgjatë dhe kurrë në jetën time politike nuk kom ba marrëveshje veç për me përfitu në aspektin elektoral. Për mu ka shumë rëndësi kauza dhe ndryshimi i gjendjes ku jemi sesa përfitimi i një mandatit të deputetit ose jo. Unë ku kam qenë e kom pas të garantum çështjen e mandatit. Jom largu prej pushtetit për shkak të parimeve dhe për shkak të kauzave që kam ngrit”

Rrahmani: Familja është baza e çdo vlere, edhe për ekonomistin, edhe një luftëtar të UÇK-së

Ai potencoi se pavarësisht profesionit apo kontributit në luftë, për të gjithë njerëzit familja mbetet boshti kryesor i vlerave dhe veprimtarisë.

“Edhe për një ekonomist edhe për një luftëtar të UÇK-së, edhe për një djalë dëshmori mbi të gjitha është familja e cila duhet me u rujt edhe dinjiteti edhe integriteti i saj, sepse unë besoj se edhe lufta e Ushtrisë Çlirimtare edhe secili angazhim niset prej familjes edhe prej qëllimit të mbrojtjes së vlerave të familjes. Sikur mos ta kish pas edukatën e familjes nuk kish dal në luftë, në front atje me luftu, e shumë dëshmorë që kanë dhënë jetën duke i mbrojt vlerat e familjes, vendit dhe kombit.”

Rrahmani: Familjen në aspektin simbolik e shpjegon më së miri familja e Adem Jasharit e Zahir Pajazitit

Rrahmani përmendi familjet e njohura emblematike të luftës për të ilustruar rëndësinë e bashkimit dhe edukimit familjar në brez pas brezi.

“Familja në aspektin simbolik për mua e shpjegon më së miri familja e Adem Jasharit, familja e Zahir Pajazittit, ku janë edukuar brez pas brezi me edukatën e mbrojtjes së kësaj familjes, ku ka nënë, ku ka babë, ku ka vajzë, ku ka gëzime të përbashkëta e ku ka hidhërime të përbashkëta. Ku kalohet edhe gëzimi edhe hidhërimi në bashkësi e jo në individualizëm”

Rrahmani: Nuk e di cili deputet mundet me eliminu emrin babë edhe nënë prej listës së regjistrimit e me i shkru prindi 1 prindi 2

Ai kritikoi ashpër zëvendësimin e termave “nënë” dhe “baba” me “prind 1” dhe “prind 2”.

“Unë nuk e di qysh një deputeti të një pushteti çfarëdo lloj raporti të kish pas me prindërit e tij, me eliminu emrin nënë edhe babë prej listës së regjistrimit, me i shkru prindi 1 edhe prindi 2.”

Rrahmani me kritika për qeverisjen Kurti: Edhe pse nuk arriti me i fitu 50%, Hajrullah Çeku dhe Albin Kurti financuan Paradën e Krenarisë që u mbajt në shesh

Rrahmani akuzoi qeverinë aktuale se po mbështet agjenda që, sipas tij, nuk përfaqësojnë vlerat kombëtare dhe shoqërore të Kosovës.

“I vetmi institucion që është duke e mbështet këtë agjendë është Qeveria e Kosovës sot për sot në vendin tonë. Parada e Krenarisë që e quajnë në vitin 2025, edhe pasi s’arriti me i fitu 50% të zgjedhjeve, financimin e ka ba Hajrullah Çeku edhe Albin Kurti te parada e cila është mbajt në shesh, edhe duke e quajt si vlerë edhe emancipim edhe duke e quajt si diçka që e promovon vlerat tona. Ato as s’kanë qenë, as nuk janë, as nuk do të jenë askund vlera tona as kombëtare e as të shoqërisë”.