Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në fund të mandatit të tij qeverisës, ka vendosur t’i rrisë pagat në sektorin publik, rritje kjo prej 55 euro nga janari i vitit 2025, shkruan TV Arbëria.
Këtë vendim Kurti e bëri të ditur sot në një konferencë për media së bashku me Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Kurti për këtë vendim ka njoftuar edhe përmes mediave sociale, ku ka thënë se me qeverisjen e tij, siç e quan ai demokratike, pagat po rriten çdo vit, ndërsa në të kaluarën sipas Kurtit pagat rriteshin vetëm nëpër fushata.
“Më herët pagat rriteshin vetëm një herë brenda mandatit, dhe atë vetëm në fushatë. Me qeverisjen tonë të mirë e demokratike po rriten në secilin vit që nga hyrja në fuqi e ligjit të pagave, ashtu siç e parasheh edhe ligji. Vitin e ardhshëm pagat për punonjësit e sektorit publik do të rriten për 110 euro. Rritja do të bëhet në dy faza. Faza e parë fillon në janar të vitit të ardhshëm dhe parasheh një rritje prej 55 euro, kurse faza e dytë hyn në fuqi nga korriku i vitit 2025, për të plotësuar totalin prej 110 euro rritje, apo një njësi më lartë të koeficientit të pagës bazë”, ka shkruar Kurti.
Pas këtij kumtimi nga Qeveria Kurti, nuk munguan reagimet nga partitë opozitare.
Shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri pas vendimit thotë se kjo “rritje” nuk i mbulon dështimet në ekonomi, si dhe thekson se në kohën kur financatë menaxhoheshin nga Bedri Hamza, pagat u rritën deri në 139%.
““Rritja” e paralajmëruar e pagave nga qeveria në shkuarje, nuk i mbulon dështimet në ekonomi dhe rënien e standardit të jetesës. Kjo rritje e premtuar është tejet e vogël për të sanuar sado pak nivelin e varfërisë së ekonomive familjare i cili është rezultat i rritjes së çmimeve të produkteve, çmimit të energjisë elektrike, rritjes së tatimit në pronë dhe politikave të gabuara që kjo qeveri i ka miratuar.
Ndërkaq, në kohën kur financat e shtetit i menaxhonte Bedri Hamza, asokohe Minister financash, ne pak muaj Kryeministri i ardhshëm i Kosovës, i rriti pagat e mjekëve 87%, të arsimtarëve 89% pagat e infermierëve 133%, pagat e policëve 139% dhe të gjitha kategorive të tjera shoqërore”, ka shkruar Tahiri.
Në anën tjetër AAK-ja rreth pagave ka mbajtur një konferencë për media, shefi i këtij grupi, Besnik Tahiri këtë vendim e ka cilësuar skandaloz dhe me përmbajtje mashtrimi dhe dështimi.
“GP i AAK ka thirrur këtë konferencë për shkak të se konferenca e kryeministrit ka qenë komunikimi më i rëndësishëm për 80 mijë shërbyes civil. Gjithë ne kemi prit që t’i duartrokasim për rritjen e vlerës së koefocientit. Në esencë është skandaloze, në përmbajtje është mashtrim dhe dështim”, ka thënë Tahiri për media.
Ndërsa kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha se punëtorët e sektorit publik meritojnë një rritje të dinjitetshme, ai zotohet se në qeverisjen e tij koeficienti do të jetë 150 euro.
“Me krizën e madhe të inflacionit, me rritjen e paprecedentë të çmimeve, të gjithë shërbyesit publik meritojnë paga të dinjitetshme nga shteti për të cilin punojnë.
Këto paga nuk i kanë sot! Këto paga do t’i kenë që nga java e parë e Qeverisë sonë!”, ka thënë Abdixhiku.
Kujtojmë se ky vendim nga Qeveria Kurti vjen pas rritjes së pensioneve për 20%, rritje kjo që po ashtu u kritikua e u cilësua e pamjaftueshme. /TV Arbëria