Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Vendimet e Trump: Ambasada e SHBA’së në Shkup konfirmon: Aggeler s’do jetë më ambasadore

Vendimet e Trump: Ambasada e SHBA’së në Shkup konfirmon: Aggeler s’do jetë më ambasadore

Ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Aggeler është ndër diplomatët e karrierës që është tërhequr nga detyra si pjesë e vendimit të fundit të presidentit Donald Trump, i cili përfshiu ndryshimin e ambasadorëve në rreth 30 shtete.

Këtë e kanë konfirmuar nga Ambasada e SHBA-së në Shkup, nga ku shtojnë se Ambasada do të vazhdojë të funksionojë normalisht gjatë procesit të tranzicionit.

“Jemi thellësisht mirënjohës ndaj ambasadores Aggeler për shërbimin e saj në Maqedoninë e Veriut gjatë tre viteve të fundit dhe jemi të përkushtuar për të siguruar një tranzicion të qetë dhe efektiv që do t’i japë prioritet misionit të SHBA-ve dhe marrëdhënieve tona diplomatike,” thuhet në deklaratën e Ambasadës për MIA.

Administrata e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, po largon 30 diplomatë karriere nga pozitat e ambasadorëve dhe pozita të tjera në ambasada.

Kjo ndodh në kuadër të përpjekjeve për riorganizimin e përfaqësive diplomatike amerikane dhe vendosjen e stafit që konsiderohet se mbështet plotësisht prioritetet e Trumpit nga programi “Amerika në radhë të parë”, raporton agjencia BETA duke iu referuar Associated Press.

Sipas raportimeve, shefat e misioneve në të paktën 29 vende janë njoftuar javën e kaluar se mandatet e tyre do të përfundojnë në janar, thanë dy zyrtarë të Departamentit të Shtetit që kërkuan të mbeten anonimë. Ata që preken nga ndryshimet nuk e humbasin punën në shërbimin e jashtëm dhe mund të kthehen në Uashington në pozita të tjera nëse dëshirojnë, thanë këta zyrtarë.

Të gjithë ambasadorët e tërhequr janë emëruar gjatë administratës së presidentit Joe Biden, por kanë mbetur në këto poste pas “pastrimit” fillestar në janar të mandatit të dytë të Trumpit, kur u fokusua kryesisht te funksionarët e emëruar politikisht.

Departamenti i Shtetit nuk komentoi mbi numrin konkret të stafit ose ambasadorëve të prekur, por theksoi se bëhet fjalë për një proces standard në çdo administratë.

Siç u tha, ambasadori është “përfaqësues personal i presidentit dhe është e drejtë e presidentit që të sigurohet se në këto vende ka individë që avancojnë agjendën e tij ‘Amerika në radhë të parë’”.

Më së shumti preken vendet e Afrikës, ku janë tërhequr ambasadorët nga 13 vende – Burundi, Kameruni, Ishujt Kap Verde, Gaboni, Bregu i Fildishtë, Madagaskari, Mauriciusi, Nigeria, Ruanda, Senegali, Somalia dhe Uganda.

Në vend të dytë është Azia, ku ka ndryshime ambasadorësh në gjashtë vende – Fiji, Laosi, Ishujt Marshall, Papua-Nova Gvineja, Filipinet dhe Vietnami.

Në Europë, do të ketë ndryshime në Armeni, Maqedoni e Veriut, Mal të Zi dhe Sllovaki.

Në Lindjen e Mesme në dy vende – Algjeri dhe Egjipt, po ashtu në Azi Jugore dhe Qendrore – në Nepal dhe Sri Lanka, si dhe në hemisferën Perëndimore – në Guatemalë dhe Surinam.