Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Drejtësi > Veç 23 aktakuza për krime lufte në periudhën 2020-2023

Veç 23 aktakuza për krime lufte në periudhën 2020-2023

Ngritja e kapaciteteve në hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë, vazhdon të jetë sfidë e institucioneve të Kosovës. Ndonëse kapacitetet në këtë fushë janë ngritur, ende ka hapësirë për përmirësim. Kështu u tha në tryezën e diskutimit nga Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK).

Sfidë tjetër u përmend arratisja e të akuzuarve në mes të procedurës dhe mungesa e bashkëpunimit ndërkombëtar rreth gjykimit në mungesë të të akuzuarve. E nga viti 2020 e deri vitin e kaluar, janë ngritur 23 aktakuza për krime lufte në Kosovë.

Gjyqtari Valon Kurtaj nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë tha se sfidë është ngritja e kapaciteteve. Ai përmendi gjykimin në mungesë për të cilin tha se është hap i rëndësishëm pozitiv.

“Sfidë e brendshme mbetet profesionalizmi i gjyqtarëve, kemi filluar me krijimin e  praktikave te standardeve dhe trajtimin e këtyre rasteve. Për vitin 2023 është ngrit numri i konsiderueshëm i akuzave për krime lufte në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku shumë prej tyre janë në fazat e shqyrtimit, numri i madh i dëshmitarëve paraqet sfidë pasi kërkon kohë”, u shpreh ai.

Ndërkaq, Bashkim Spahiu nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës theksoi se janë 32 zyrtarë që merren me raste hetimore.  Ai teksa foli për sfidat, u shpreh se ka kaluar kohë e gjatë prej luftës së fundit në Kosovë dhe shumë gjurmë kanë humbur.

“Siç e dini edhe ju prej burimeve paraprake, krimet e luftës kanë qenë mision i UNMIK-ut e mandej edhe EULEX-it dhe ky tranzicion i kompetencës është përmbyll në vitin 2018 ku të gjitha lëndët janë bartur tek struktura e krimeve të rënda. Më datën 5 prill kur unë jam zgjedhur drejtor i kësaj drejtorie e deri tek rekrutimi i 22 zyrtarëve, kemi provuar dhe ia kemi dalë suksesshëm trajnimin e stafit që janë benefite për çështje të krimeve të luftës”, deklaroi ai.

Spahiu deklaroi suksesin e  bashkëpunimit me asociacionin e shoqatës së personave të zhdukur, ku janë në proces skanimi që shoqatat i kanë mbledhur nga paslufta e deri më tani.

Ai tha së në kuadër të kësaj drejtorie funksionojnë dy sektorë; ajo për krime të luftës dhe ajo e personave të zhdukur, deri sa shtoi se janë 32 zyrtarë.

Spahiu deklaroi se deri më tani janë 12 të dyshuar të arrestuar, 10 janë në paraburgim.

“Besoj që viti 2024 ose gjysma e saj do të na gjej më shumë të profesionalizuar duke rezultuar në gjëra pozitive, sfidë në vete është rrjedha e afatit kohor e cila na sfidon pasi shumë gjurmë e dëshmitarë kanë vdekur.”

Ndërkaq Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare deklaroi se duhet ngritja e kapaciteteve pasi stafi shpesh ndërrohet, gjyqtarët ndërrojnë departamentet.

“Gjyqtarët, prokurorët e policët kanë nevojë shkëmbim përvojash me të huajt, ne si kemi ndihmuar kemi nënshkruar marrëveshje, kemi pasur trajnime gjatë viteve të fundit, kemi ftuar prokurorë nga Kroacia se si duhet punuar në hetimet e krimeve të luftës, kemi ftuar edhe përfaqësues nga EULEX-i”, u shpreh Alija.

Alija tha se janë ngecjet politike që po i detyrojnë t’i ftojnë vet ata gjyqtarët e huaj në Kosovë.

Prokurori special, Ilir Morina, deklaroi se ngritja e kapaciteteve të institucioneve paraqet sfidë të vazhdueshme. Ai u shpreh se aktualisht po punojnë me tre prokurorë, pas pensionimit të prokurores speciale, Drita Hajdari.

“Ne po mundohemi që t’i rrisim kapacitetet. Nga viti 2018 deri në vitin 2020 ka qenë një periudhë tranzitore për pranimin e lëndëve. Në vitin 2020 ka qenë pandemi. Ne vitin 2020 është miratuar strategjia për hetimin e krimeve të luftës, ku janë caktuar katër prokurorë për hetimin e krimeve të luftës. Kemi filluar të pranojmë lëndë të reja. Sfida e parë ka qenë që përveç transferimit të lëndëve, nuk ka pasur transferim të praktikave, ka munguar përvoja dhe tani me ndihmën edhe të partnerëve ndërkombëtarë, kemi arritur që të krijojmë një kapacitet të konsolidueshëm”, tha ai.

Ai tregoi edhe numrin e aktakuzave që janë ngritur nga periudha që kanë marrë kompetencat për hetimin e krimeve te luftës.

“Nga viti 2016 deri në vitin 2019 janë ngritur 12 aktakuza ndaj 13 personave. Nga viti 2020 deri në fund të vitit 2023 janë ngritur 23 aktakuza ndaj 76 personave. Së shpejti presim të kompletohemi, kemi zhvilluar takime me mekanizmin zyrtar dhe sfida që pengon bashkimin formal që secili shtet i regjionit ka marrëveshje me mekanizimin ndërsa ne nuk e kemi”, u shpreh Morina.

“Sa i përket gjykimit në mungesë mund të iu them se gjatë vitit 2023 kemi ngritur 14 aktakuza, ndaj 67 personave. Gjykimi në mungesë është sfidë për të gjithë, andaj jemi duke komunikuar edhe me partnerët ndërkombëtarë. Një rast ka filluar tani andaj nuk mund të themi se kemi identifikuar sfidë konkrete”, deklaroi ai.

/TV Arbëria

Themes by WordPress