Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Vdes në robërinë ruse gazetarja ukrainase Victoria Roshchyna

Vdes në robërinë ruse gazetarja ukrainase Victoria Roshchyna

Gazetarja ukrainase, Victoria Roshchyna, e cila ishte zhdukur në territoret e uzurpuara nga Rusia, ka vdekur gjatë kohës sa ishte në robërinë ruse, njoftuan autoritetet ukrainase më 10 tetor.

Lajmi u konfirmua nga Petro Yatsenko, përfaqësuesi i Shtabit të Koordinimit të Ukrainës për Trajtimin e të Burgosurve të Luftës, pas një hetimi të brendshëm mbi zhdukjen e saj.

“Ne e kemi kryer një hetim të brendshëm dhe, për fat të keq, informacioni për vdekjen e Victorias është konfirmuar”, tha Yatsenko. Megjithatë, rrethanat rreth vdekjes së saj mbeten të paqarta dhe po hetohen, shtoi ai.

Roshchyna, një gazetare e pavarur që kishte punuar më parë për Radion Evropa e Lirë dhe media të tjera të shquara ukrainase, u zhduk në fillim të gushtit 2023.

Ajo kishte udhëtuar nga Ukraina për në Poloni më 27 korrik të vitit të kaluar, para se shkonte drejt territoreve të pushtuara nga Rusia në Ukrainën lindore, sipas babait të saj, Volodymyr Roshchyn. Komunikimi i saj i fundit ishte më 3 gusht 2023.

Yatsenko zbuloi se ishin bërë përpjekje për të siguruar lirimin e Roshchynes nga robëria ruse, ku ajo po mbahej së bashku me të paktën 25 gazetarë të tjerë ukrainas. Këta gazetarë janë ose të arrestuar, ose të zhdukur në zonat e kontrolluara nga Rusia.

Andriy Yusov nga inteligjenca ushtarake e Ukrainës konfirmoi se ishte planifikuar që Roshchyna të ishte pjesë e një marrëveshjeje për këmbimin e të burgosurve dhe, sipas përditësimeve më të fundit, ajo po transferohej nga Taganrog, një qytet rus afër kufirit ukrainas, në qendrën e paraburgimit Lefortovo në Moskë, para se të lirohej.

Autoritetet ukrainase tani po përpiqen të kuptojnë se çfarë ka ndodhur gjatë këtij transferimi.

Rasti i Roshchynes nxjerr në pah rreziqet me të cilat përballen gazetarët që raportojnë në zona lufte. Sipas Reporterëve pa Kufij (RSF), më shumë se 100 gazetarë ukrainas dhe të huaj janë prekur drejtpërdrejt nga pushtimi rus i Ukrainës, i cili filloi në shkurt 2022.

Disa gazetarë ukrainas vazhdojnë të jenë të arrestuar ose të zhdukur në territoret e pushtuara nga Rusia në Ukrainë, ndërsa vdekja e Roshchynes nënvizon rreziqet e vazhdueshme me të cilat përballen gazetarët në zonat e konfliktit.

Powered by WordPress