Shkruan: Afrim Kasolli
Sot është tentimi i 50-të i përpjekjes për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Deri sa kjo dramë po vazhdon fundi i së cilës nuk shihet në horizont, sipas mediave, dy punëtorë në qytetin e Gjakovës, derisa ishin duke punuar në një objekt në ndërtim e sipër kanë rënë nga lartësitë e tij. Po ashtu, mjeku kujdestar e ka konfirmuar vdekjen e tyre. Pra edhe dy jetë të reja u shuan për t’u mos u kthyer më kurrë. Të gjendur në rrethana fatkeqe e të kushtëzuar nga lufta për bukën e gojës, numri i vdekjeve në vendet e punës në Kosovë thuajse ka marr përmasat e një “epidemie kombëtare”.
Raste të tilla tragjike për më shumë po ndodhin nën një qeverisje e cila i thotë vetit sa ka orientim të majtë politik dhe ideologjik e që për më tepër që e konsideron se “Kosova ka qeveri, por jo Kuvend”. Aq më keq atëherë për të parën. Sepse në fund të fundit përmirësimi i kapaciteteve mbikëqyrëse në këtë sektor është më shumë detyrim i Qeverisë se sa e Kuvendit. Ky i fundit ka për detyrë ekskulvizive ta kontrollojë të parën.
Ndërkohë, siç dihet Albin Kurti për një kohë të gjatë kishte propaganduar se prioritet i tij qeverisës do të jenë të drejtat dhe siguria në vendin e punës. Në programin e tij qeverisës për këtë mandat shkruante se synim i tij mbetet mbrojtja e të drejtave të punëtorëve dhe përmirësimi i kushteve në punë. E për përmirësimin e këtyre kushteve ishte premtuar fuqizimi i mekanizmave të zbatimit të ligjit, rritja e numrit të inspektoreve të punës, etj.
Por siç duket për shkak të pamundësisë për t’i jetësuar këto premtime atëherë mbase rruga më e duhur për t’i mbuluar dështime të tilla ka mbetur zhvendosje opinionit publik nga problemet reale sociale dhe ekonomike, tek kriza e programuar politike në Kuvedin e Kosovës. Kësaj skeme mjerisht i janë nënshtruar edhe partitë “opozitare”. Sa më shumë që vazhdon kjo bllokadë aq më pak do të sensibilizohet shoqëria për tema tjera. Prandaj, edhe tragjedi sikur kjo sotme do të kalojnë nën hijen e bllokadës së Kuvendit të Kosovës