Eksperti i Sigurisë, Bedri Elezi ka reaguar pas rastit ku mbeti I vdekur një person në Lipjan nga “dhuna” e shkaktuar nga disa pjesëtarë të Policisë së Koosvës.
Elezi në reagimin e tij tha se “është thellësisht alarmuese që Policia e Kosovës, një institucion që duhet të jetë garantues i rendit dhe sigurisë, po rreshqet drejt abuzimeve sistematike dhe kriminalitetit të strukturuar”.
Sipas Elezit, institucionet nuk duhet të varen nga videot e qytetarëve për të zbuluar dhe ndëshkuar krimin – ato duhet të jenë pararojë e ligjit dhe drejtësisë, jo përkrahëse të heshtura të abuzuesve në uniformë.
Reagimi i plotë:
Brenda vetëm një jave, Kosova është tronditur nga dy raste të dhunës policore – njëri prej tyre përfundoi tragjikisht me fatalitet. Të dyja këto ngjarje u trajtuan nga autoritetet vetëm pas publikimit të videove nga qytetarët në media, gjë që nxjerr në pah një shqetësim të madh për transparencën dhe përgjegjshmërinë institucionale.
Është thellësisht alarmuese që Policia e Kosovës, një institucion që duhet të jetë garantues i rendit dhe sigurisë, po rreshqet drejt abuzimeve sistematike dhe kriminalitetit të strukturuar. Edhe më shqetësuese është heshtja ose mbyllja e rasteve nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) dhe organet përgjegjëse, që duket se veprojnë vetëm nën presionin e opinionit publik.
Këto ngjarje të rënda ngrisin dyshime serioze se shumë raste të ngjashme – ku qytetarët kanë qenë viktima të abuzimit me detyrën nga zyrtarë të lartë policorë – mund të jenë mbyllur ose mos jenë trajtuar fare, për shkak të mungesës së dëshmive vizuale ose të interesit mediatik.
Sot, më shumë se kurrë, kërkohet një reformë rrënjësore në sistemin e llogaridhënies policore dhe hetimeve të brendshme. Duhet të sigurohet që çdo rast i dhunës, keqpërdorimit të pozitës, apo shkeljes së të drejtave të njeriut nga zyrtarët policorë të trajtohet me urgjencë, pavarësi dhe transparencë. Po ashtu, nevojitet fuqizimi i mbrojtjes për denoncuesit dhe viktimat, si dhe përdorimi i teknologjisë për monitorim të përhershëm të veprimeve policore (kamerat trupore, monitorimi i ndaluarve, etj).
Institucionet nuk duhet të varen nga videot e qytetarëve për të zbuluar dhe ndëshkuar krimin – ato duhet të jenë pararojë e ligjit dhe drejtësisë, jo përkrahëse të heshtura të abuzuesve në uniformë.
Në një shtet demokratik, ligji duhet të vlejë për të gjithë – për qytetarët dhe për zyrtarët njësoj.
Koha për drejtësi është tani.