Shkruan: Afrim Kasolli
Gjatë ditës së djeshme qëndroi për një vizitë në Kosovë i dërguar i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen. Pas takimit më presidenten e Kosova, Vjosa Osmani, dhe më kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, diplomati danez, ka shkruar se ka “pasur një takim produktiv me përfaqësuesit e shtetit të Kosovës, dhe se e ka shtruar si nevojë urgjentë zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit më shumë se kurrë më parë. Po ashtu, rruga për integrimin në Bashkimin Evropian kalon nëpërmjet përparimit kuptimplotë në dialog”. Ndërkohë i pyetur se në çfarë gjendje është aktualisht dialogu, ai u përgjigj shkurt se është aktiv, por duke mos anashkaluar vonesat në drejtim të zbatimit të obligimeve të marra nga Prishtina dhe Beogradi, për shkak të ngërçit politik në Kosovë.
Mirëpo, pa hyrë shumë në gjenealogji të shkaqeve që kanë quar në staginimin e këtij procesi, këtu nuk duhet harruar faktin se edhe Serbia është deklaruar së fundi se nuk do të rikthehet në tavolinën e dialogut për shkak të arrestimit të drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Igor Popoviq.
Madje Beogradi, është shprehur edhe me gjuhë kërcënuese për këtë ndalim të zyrtarit serb. Siç dihet, arrestimi i tij është bërë për shkak se i njëjti, gjatë një tubimi në Hoqë të Madhe, ai e ka cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si “organizatë terroriste” dhe i ka krahasuar veprimet e saj me ngjarje të ndërkombëtare.
Sidoqoftë, ajo që e bënë me tejet të dyshimtë rolin ndërmjetësues të BE-së në këtë proces, është fakti se i njëjti zyrtar serb në vend të angazhimit në dialog me qëllim normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve, u vërtetua se ka pasur rolë që të përgjojë në mënyrë ilegale takimet në Bruksel për interesat e shërbimit sekret serb.
Për më shumë, deri më tani zyrtarët e BE-së kanë qenë të heshtur për këtë skandal diplomatik dhe politik. Në këtë drejtim është e rëndësishme që para çdo rifillimi të dialogut zyrtarët e BE të japin shpjegime për këtë dështim të pashembullt të kodeve të sigurisë. Sepse, Kosova duhet ta dijë që shërbimi për Politikë të Jashtme të BE-së a është në zyre që e lehtëson qasjen e shërbimit sekret serb, apo në lehtësues të normalizimit të raporteve ndërmjet dy vendeve. /TV Arbëria