Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Sport > Vazhdon pjesa e dytë e kursit për Licencën A të UEFA-s, ligjëron Dany Riser

Vazhdon pjesa e dytë e kursit për Licencën A të UEFA-s, ligjëron Dany Riser

Po vazhdon pjesa e dytë e kursit për Licencën A të UEFA-s për trajnerë në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali.

Nga afër fazën e dytë të këtij kursi po e ndjek edhe Dany Riser, që gjithashtu është edhe ligjërues i këtij kursi: “Është pjesëmarrja ime e parë në këtë kurs dhe, për të qenë i sinqertë, jam këtu edhe për të parë si funksionojnë gjërat. Jam këtu gjithashtu për të mësuar rreth performancës së kandidatëve dhe ky është një proces që po e njohim. Është shumë herët për të dhënë vlerësime përfundimtare. Kemi filluar më shumë se një vit më parë në përgatitjen e kësaj licence dhe kursi do të përfundojë deri në fund të vitit apo më së largu në fillim të vitit të ardhshëm. Ky është një kurs-pilot që e organizojmë në përputhje me konventën e UEFA-s. Bazuar në këtë kurs, ne do të shkruajmë një raport përfundimtar dhe do të japim rekomandimet për këtë edukim në FFK”, tha Riser.

Përveç tij, ligjërues në këtë kurs është edhe instruktori i njohur Klaus Stark, teksa kandidatët që janë pjesë e kursit janë të kënaqur me ecurinë e deritashme.

“Normalisht që është kënaqësi të jesh pjesë e gjeneratës së parë të Licencës A në Kosovë. Kemi mësuar shumë gjëra. Po shohim se metodologjia e futbollit evropian veçse është zhvilluar dhe ka kaluar në një nivel tjetër. Kemi kënaqësinë që këtu sot e kemi edhe një ndër instruktorët më të falshëm të UEFA-s, Dany Riser, prej të cilit presim të marrim shumë informacione të reja, që futbollin tonë ta ngrisim në një nivel tjetër”, tha Granit Dervisholli, pjesë e këtij kursi.

Krahas ndjekjes së ligjëratave, trajnerët e përfshirë në këtë kurs do të kenë edhe punën praktike dhe monitorimin në klube. Në përfundim të kursit, ata do t’i nënshtrohen një provimi dhe kandidatë që kalojnë me sukses do të pajisen me Licencën A të UEFA-s.

Ky kurs është një hap i madh përpara për futbollin kosovar dhe një dëshmi e përkushtimit të FFK-së për të ngritur nivelin profesional të trajnerëve në vend.

Powered by WordPress