Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Vazhdon “ndihma” e Qeverisë së Kosovës për luftën e Rusisë në Ukrainë, përkundër sanksioneve të reja

Vazhdon “ndihma” e Qeverisë së Kosovës për luftën e Rusisë në Ukrainë, përkundër sanksioneve të reja

Shkruan: Afrim Kasolli

Qeveria e Kosovës në detyrë në mbledhjen e mbajtur sot ka miratuar një pako të re të sanksioneve sipas rekomandimeve të BE-së si dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundër Federatës Ruse dhe Bjellorusisë, për shkak të luftës pushtuese të Kremlinit në Ukrainë. Me këtë rast ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se ky vendim vjen si pjesë e angazhimit të Kosovës për të mbështetur Ukrainën dhe për të harmonizuar politikat me partnerët ndërkombëtarë.

Sidoqoftë, kjo pako e re përpos efekteve simbolike nuk ka ndonjë peshë reale. Përkundrazi edhe Kosova si shtet, ndonëse jo në mënyrë të drejtpërdrejt, por tërthorazi është duke e “ndihmuar” ekonomikisht dhe financiarisht luftën e Rusisë kundër Ukrainës. Sepse tashmë është dëshmuar që sanksionet perëndimore mbi Federatën Rusë nuk janë duke i prodhuar efektet e dëshiruara. Përkundrazi, Moska ia ka dalur që ta kompensojë këtë izolim për shkak të sigurimi të tregjeve të reja sidomos në atë kinez dhe indian. Kjo edhe është arsyeja që Presidenti Trump është duke kërkuar më ngulm nga Bashkimi Evropian imponimin e tarifave tregtare deri në 100 për qind, veçanërisht për mallrat kineze si pjesë e sanksioneve sekondare. Në fund të fundit, pa e dobësuar forcën blerëse të Kinës, nuk mund të limitohen as kapacitet militare të Rusisë në Ukrainë. Prandaj edhe drejtuesi i SHBA-ve është duke kërkuar që këto masa të vendosen në sinkron të plotë nga Perëndimi. Skenar ky, që nuk po gjen konsensus nga të gjitha shtetet e Unionit Evropian.

Kjo është arsyeja që para pak dite në një shkrim të kësaj natyre pata propozuar që Kosova duhet ta mendojë strategjikisht vendosjen tarifave tregtare deri në 100 pëqr qind ndaj mallrave Kineze. Mos të harrojmë një fakt që Kosova është e vërtetë që nuk ka raporte të tilla ekonomike sikur Serbia me shtetin e largët aziatik, por vëllimin e këmbimeve tregtare e ka shumë më të mirë me Kinën se sa SHBA-të. Derisa këto raporte me aleatin strategjik nuk “figurojnë” fare në të dhënat e ASK-së, ndërkohë Kosova e ka importin me të madh tregtar me botën e jashtme nga Kina me 14.5 për qind duke u pasuar nga Turqia me 12.7 për qind.

Prandaj, me këtë akt, Kosova do t’i paraprinte kërkesave të SHBA-ve. Dhe po ashtu do ta fitonte një kredit të jashtëzakonshëm diplomatik në raport me Serbinë në Uashington. Pikërisht pamundësia e Beogradit për t’u shkëputur nga rivali kryesor gjeopolitik i SHBA-ve, sepse sipas shumë studiueseve aktualisht është Kina dhe jo Rusia, mund të shndërrohet në përparësi gjeopolitike për Kosovën. Mirëpo si duket, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në vend të këtyre shqetësimeve strategjike është i preokupuar se si ta grabis ndonjë votë elektorale për ministrin Peci si kandidat për kryetar komune në qytetin e Mitrovicës, duke e rrezikuar edhe dialogun strategjik me Uashingtonin e duke i krijuar terren Serbisë që ta përfitojë një aset të tillë. /TV Arbëria