Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Vazhdon gjykimi për sulmin terrorist në Banjskë

Vazhdon gjykimi për sulmin terrorist në Banjskë

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, sot do të vazhdojë seanca ndaj tre të akuzuarve në rastin “Banjska”.

Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, do të dalin sërish para trupit me fillim nga ora 09:30.

Ata, përballen me akuza të rënda për përfshirje në ngjarjet e 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, ku një sulm i armatosur ndaj Policisë së Kosovës çoi në vdekjen e rreshterit Afrim Bunjaku dhe plagosjen e disa pjesëtarëve të tjerë të policisë.

Ndryshe, seanca e fundit në Gjykatën Themelore në Prishtinë,  dështoi per arsye se dëshmitarja Dragana Antonijeviq nuk ishte paraqitur në gjykatë. Ajo kishte deklaruar se ndodhet në Serbi. Për këtë dëshmitare, gjykata konsideroi se nuk ka arsyetuar mungesën.

Gjykata do të marrë vendim nëse dëshmitarja do të shoqërohet nga organet e policisë ose do t’i dërgohet ftesa përsëri.

“Për këtë dëshmitare nuk ka arritur që ta arsyetojë mungesën. Gjykata ndërkohë do të presë që ta arsyetojë këtë mungesë në bazë të dokumentacionit apo dëshmive të besueshme, dhe pas saj do të merret vendim nëse e njëjta do të shoqërohet përmes organeve të policisë. Në këto kushte nuk do të mund të vazhdojmë seancën”, kishte deklaruar kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti.