Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Vazhdojnë punimet mbi urën e Ibrit, KFOR-i e shton praninë aty

Vazhdojnë punimet mbi urën e Ibrit, KFOR-i e shton praninë aty

Punimet mbi urën e Ibrit po vazhdojnë. Me gjithë paralajmërimet e Perëndimit dhe KFOR-it kundër hapjes së saj tash, Qeveria ka angazhuar punëtor të cilët po e lyejnë urën kryesore në Mitrovicë.

Disa fotografi nga ura i ka publikuar Radio Evropa e Lirë, që thotë se gjatë ditës atje u pa një prani e shtuar e pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Qeveria e ka bërë testimin e kësaj ure, për të cilën kryeministri Albin Kurti ka thënë se duhet të hapet.

Perëndimi, përmes ambasadorëve të vendeve të QUINT-it, i ka thënë Kurtit që të mos e bëjë këtë tash.

Policia thotë se është e gatshme ta ekzekutojë ndonjë urdhër të mundshëm për hapjen e urës së mbyllur që prej përfundimit të luftës më 1999, ndërkohë që KFOR-i ka paralajmëruar se nuk do ta lejojë këtë, me trupat e misionit paqeruajtës së NATO-s që po qëndrojnë në urë dhe përreth saj.

Kurti ua ka paraqitur përfaqësuesve diplomatikë të QUINT-it planin për hapjen e urës, i cili parasheh testimet për stabilitetin infrastrukturor të urës, vlerësimin e rrezikut dhe rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore, rivitalizimin vizual të urës me qasje në urë për të gjithë, diskutimet me qytetarë dhe grupe të interesit dhe fushatën e informimit gjithëpërfshirës mbi përfitimet dhe qëllimet e hapjes së urës.

“Konsultimet dhe koordinimi vazhdojnë”, u tha në atë komunikatë, por gjërat nuk duket se po shkojnë mirë në këtë drejtim.

Ndërkombëtarët kërkojnë se çështja e urës mbi lumin Ibër duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi në Bruksel.

Një vendim për hapjen e urës ishte marrë në Kuvendin e Mitrovicës së Veriut në prill të vitit 2023, por nuk është zbatuar.

Kosova dhe Serbia ishin pajtuar në dialog që ura të hapej për qarkullim, por në praktikë gjendja nuk ka ndryshuar. Ura mbetet e barrikaduar. E hapur është vetëm një vijë anash për këmbësorë.

Powered by WordPress