Valon Krasniqi ka ngritur shqetësime serioze lidhur me procesin e numërimit të votave, duke kërkuar që rinumërimi 100 për qind i votave të përfshijë edhe komunën e Malishevës.
Krasniqi, i cili thekson se ka qenë ndër kandidatët më të votuar në dy palë zgjedhje në Malishevë, fillimisht përmes listave të LDK-së dhe më pas përmes VV–GUXO, shpreh dyshime se një pjesë e madhe e votave të shpallura si të pavlefshme u takojnë pikërisht subjektit politik GUXO, i cili nuk arriti të kalojë pragun zgjedhor në zgjedhjet e fundit.
Sipas tij, zhvillimet e fundit në procesin e rinumërimit të votave në nivel nacional po i japin të drejtë këtyre dyshimeve. Ai shton se gjatë procesit zgjedhor lokal, subjekti që ai përfaqësonte ka qenë i sulmuar nga partitë e tjera politike, ndërsa mungesa e komisionerëve dhe vëzhguesve në shumicën e vendvotimeve e ka bërë procesin edhe më të cenueshëm.
Krasniqi pretendon se deri më tani janë identifikuar raste ku deri në 4.500 vota janë vjedhur, devijuar ose shtuar në favor të një kandidati të vetëm për deputet. Ai thekson se një numër i tillë votash mund të ndikojë drejtpërdrejt në rezultatin zgjedhor dhe në përfaqësimin politik, duke vënë në pikëpyetje vullnetin e qytetarëve.
Po ashtu, ai përmend raste në komuna të vogla ku dallimet mes numërimit fillestar dhe rinumërimit kanë arritur deri në 550 vota për kandidat, çka sipas tij përbën manipulim të pastër të votës preferenciale.
Krasniqi e konsideron këtë situatë tejet shqetësuese për integritetin e proceseve zgjedhore në vend dhe shpreh bindjen se edhe në zgjedhjet lokale ka pasur devijime të vullnetit të qytetarëve nga komisionerë militantë partiakë. Ai rikujton se në zgjedhjet lokale kishte mbetur jashtë Kuvendit Komunal të Malishevës për vetëm 50 vota, duke e cilësuar këtë si tregues të qartë të cenimit të procesit.