Doruntina Hamza ka rikujtuar edhe këshillën që babai i saj ia kishte dhënë në ditën e parë të saj të punës.
“Nëse atë ditë kjo fjali nuk e ka pas peshën si sot, me kohë e kam kuptu peshën që mban. Gjithmonë, çdo derë të zyrave që e ka hapur dhe mbyllur, babi e ka hapur dhe mbyllur me nder, me integritet e dinjitet. Si familje e tij jemi të bindur që njëjtë do ta hapë edhe derën e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës”, ka thënë Doruntina Hamza.
Më tej, vajza e madhe e kandidatit të PDK-së për Kryeministër ka shtuar se Bedri Hamza është i përkushtuar në çdo punë që bën, njëjtë si për familjen.
Ajo zbuloi edhe debatet e Hamzës për futboll me djalin e tij, Ensarin, kur në ekran është El Classico.
Vajza e Bedri Hamzës ka folur edhe për bisedat e gjata në familjen e tyre.
“Me gjithë dinamikën e punës, në familjen tonë asnjë vikend nuk mungon kafja e mëngjesit e babit me nanen dhe bisedat e tyre të gjata për jetën, të cilat duket që asnjëherë nuk bëhen të tepërta edhe pas 32 viteve të tyre martesë. Apo një diskutim për Inteligjencën Artificiale me Djellzën ose të qeshurat pa fund që na i sjell ajo me humorin dhe harenë e saj të veçantë. Babin e kam parë që edhe në lodhjet ma kulmore, duke bërë kilometra që të kthehej qoftë edhe për pak minuta në oborrin e nanës Rabë, nën hijen e arrës e të çmallej me të, sa ajo ishte gjallë”, ka thënë ajo.
Konventa e PDK-së po vazhdon dhe tani edhe pak pritet të flas edhe vetë Bedri Hamza.