Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Deklarimi dhe publikimi i pasurisë, përveç që rrit transparencën shërben si indikator

Deklarimi dhe publikimi i pasurisë, përveç që rrit transparencën shërben si indikator

Shkruan: Ardian Bajraktari

Deklarimi i pasurisë, përfshirë edhe prejardhjen e saj, është obligim ligjor, ku kategori të caktuara të zyrtarëve publikë e kanë obligim ta bëjnë.

Synimi i këtij obligimi ligjor është transparenca dhe se publiku për funksionarët publikë dhe kategori të caktuara të zyrtarëve që paguhen me para të taksapaguesve të vendit, mund të dinë kush dhe sa para po merr për punën që bën përkatësisht funksionin që ai/ajo ushtron.

Po ashtu, shihet trendi i të hyrave, si indikator (për organet ligj zbatuese) kur të hyrat e deklaruara janë qartazi në mospërputhje me nivelin e të hyrave për atë pozitë/funksion.

Obligimi për deklarim të origjinës së pasurisë

Referuar ligjit përkatës për deklarim të pasurisë, në deklarimin e pasurisë, subjekti deklarues duhet të përfshijë të dhënat mbi origjinën e pasurisë dhe të hyrave të përdorura për blerjen e pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme, të cilat subjekti deklarues është i obliguar t’i deklaroj sipas ligjit. Po ashtu, të dhënat mbi pasurinë e trashëguar do të përfshijnë të dhënat mbi llojin dhe vlerën e trashëgimisë, duke përfshirë edhe nga kush e kanë trashëguar.

Obligimi për vërtetësi të deklarimit

Vlen të theksohet se ligji obligon që të gjitha vlerat e pasurisë duhet të deklarohen sipas shumave të vendosura në kontrata ose fatura, duke deklaruar edhe vitin e përfitimit.

Nëse kjo nuk është e mundur të përcaktohet, për shkak të fitimit të saj përmes procesit të trashëgimisë, dhurimit, apo e ngjashme ajo duhet të raportohet me një përshkrim të hollësishëm, duke përfshirë vitin e fitimit dhe mënyrën e fitimit.

Korrigjimet

Subjektet deklaruese, jo më vonë se tridhjetë (30) ditë pas publikimit të pasurisë, mund të bëjnë kërkesë në Agjencinë për Parandimin e Korrupsionit, (tutje: Agjencia), për plotësimet apo korrigjimet e nevojshme të deklarimit të dorëzuar brenda afatit ligjor, nëse gjatë plotësimit të të dhënave janë bërë lëshime apo gabime pa dashje.

Informatat dhe të dhënat plotësuese

Agjencia gjatë kontrollit të subjektit deklarues, kërkon të dhëna dhe informata rreth deklarimit të pasurive dhe burimet e krijimit të tyre si dhe kontrollon saktësinë e këtyre deklarimeve.

Me rastin e kontrollit të plotë të pasurisë, subjekti deklarues obligohet që brenda afatit prej pesëmbëdhjete (15) ditësh nga paraqitja e kërkesës së Agjencisë të sjellë dëshmi përkatëse për të dhënat e kërkuara, përfshirë edhe raportet bankare për të gjitha llogaritë bankare të deklaruara.

Gjobat

Agjencia pas përfundimit të afatit, shqipton gjobë ndaj secilit subjekt deklarues i cili dështon në përmbushjen e detyrave ndër të tjera nëse nuk e përmbushë kërkesën e Agjencisë për dhënien e informacioneve ose dokumenteve tjera mbështetëse.

Gjoba e shqiptuar, do të vendoset në shkallë prej tridhjete për qind (30% të pagës mujore neto nga funksioni primar i subjektit deklarues, por në asnjë rast kjo shumë nuk do të kalojë pragun prej pesëqind Euro (500 €).

Kallëzimi penal

Nëse subjekti deklarues, edhe pas shqiptimit të gjobës, por jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë kalendarike nga dita kur është dashur të përmbushë detyrimin sipas ligjit, nuk e përmbushë atë, atëherë Agjencia bën kallëzim penal tek prokuroria përkatëse.

Adresimi i njërës nga sfidat – dashjes, tash duhet vullnet

Elementi i dashjes si nga elementet esenciale për veprën penale të “mos raportimit ose raportimit të rremë të pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare nga neni 430 i Kodit Penal”, ka qenë sfidë, tashme kjo me ligjin e ri është adresuar.

Rrjedhimisht nëse ndiqet e gjithë procedura, atëherë konsiderohet se është përmbushur elementi esencial/ dashja në lidhje me atë se subjekti nuk ka raportuar ose ka raportuar rrejshëm pasurinë, të ardhurat, dhuratat, dobinë tjetër materiale ose detyrimet financiare, element ky i cili në të kaluarën ka qenë problematik për tu argumentuar para gjykatës.

Sfida ligjore tashmë është adresuar, mjafton vullneti, e jo fajësimet e njëra-tjetrës: Gjykata, se “prokuroria për kategorinë e veprave penale kundër korrupsionit po i bënë aktakuzat e dobëta”, e Prokuroria se “gjykata po i ka standardet më në larta për ta kaluar testin e gjykatës aktakuzat për këto vepra penale”.

/TV Arbëria

 

Themes by WordPress