Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Ushtria e Sudanit rimerr nën kontroll pallatin Presidencial, ç’po ndodh në Khartoum

Ushtria e Sudanit rimerr nën kontroll pallatin Presidencial, ç’po ndodh në Khartoum

Ushtria sudaneze ka rimarrë nën kontroll pallatin presidencial në kryeqytetin Khartoum mes luftimeve intensive.

Sipas mediave të huaja, ndërtesa strategjike u kap nga forcat paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë, të cilat morën kontrollin e kryeqytetit kur shpërtheu lufta civile gati dy vjet më parë.

Konflikti është përshkallëzuar muajt e fundit me ushtrinë që ka bërë përparime të konsiderueshme kundër RSF. Grupi paraushtarak ende nuk ka komentuar mbi këto zhvillime, shkruan A2 CNN.

Përveç pallatit, ushtria sudaneze tha se kishte marrë gjithashtu nën kontroll ministritë dhe ndërtesat e tjera kyçe në qendër të Khartoum.

“Forcat tona shkatërruan plotësisht luftëtarët dhe pajisjet e armikut dhe kapën sasi të mëdha pajisjesh dhe armësh”, tha zëdhënësi i ushtrisë Nabil Abdallah në një transmetim në televizionin shtetëror.

Abdallah u zotua se ushtria “do të vazhdojë të përparojë në të gjitha frontet derisa fitorja të përfundojë dhe çdo pëllëmbë e vendit tonë të pastrohet nga milicia dhe mbështetësit e saj”.