Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka mbërritur në Beograd në kuadër të turneut të saj vjetor në Ballkanin Perëndimor. Ajo u prit mbrëmë në aeroport nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërsa sot në mëngjes zhvillon një takim zyrtar në Pallatin “Serbia”, i cili u hap me një ceremoni të mirëseardhjes.
Pas ceremonisë, pritet edhe një deklarim për media.
Sipas njoftimeve nga Brukseli, në fokus të diskutimeve në Beograd ishte Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i prezantuar vitin e kaluar nga Komisioni Evropian, si një iniciativë për të përshpejtuar afrimin e vendeve të rajonit me Bashkimin Evropian.
Kjo është vizita e saj e dytë në Beograd brenda një viti — e fundit ndodhi në tetor të vitit të kaluar, po ashtu në kuadër të turneut në rajon.
Pas ndalesës në Serbi, Von der Leyen pritet të vijë sot në Kosovë, ku do të zhvillojë takime zyrtare me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti.