Sipas raportimeve të fundit, Manchester Unitedi po përgatit një ofertë për mbrojtësin argjentinas Cristian Romeron, ndërsa te Tottenhami besohet se “ka ardhur koha” që ai të largohet dhe klubi tashmë po kërkon një zëvendësues të denjë.
Romero, i cili është lidhur vazhdimisht me një largim nga Tottenhami muajt e fundit, duket se është gjithnjë e më pranë largimit.
Përveç interesimit afatgjatë nga Real Madridi dhe Atletico Madridi, tani në garë është futur edhe Manchester Unitedi.
Gazetari i njohur argjentinas Gastón Edul raporton se Unitedi dëshiron ta transferojë qendërmbrojtësin dhe po përgatit një ofertë zyrtare.
Më herët gjatë këtij viti, babai i futbollistit, Victor Romero, kishte zbuluar se djali i tij ka një klauzolë shumë të lartë largimi në kontratën aktuale me Tottenhamin.
“Ai ka edhe dy vite kontratë me Tottenhamin dhe një klauzolë shumë të lartë largimi. Klubi anglez nuk do ta lërë të largohet falas; bëhet fjalë për një shumë mes 50 dhe 70 milionë dollarësh (rreth 38-53 milionë funte)”, tha ai.
“Ata do të duan të rikuperojnë investimin që kanë bërë tek ai”, shtoi ai tutje.
Ndërkohë, ish-skauti i Tottenhamit, Mick Brown, beson se largimi i Romeros gjatë kësaj vere është i pritshëm.
“Ka dyshime rreth Romeros dhe ata presin që ai të largohet. Të gjithë flasin për cilësitë e tij kur është i disponueshëm, por qëndrimi dhe përkushtimi i tij kanë qenë gjithmonë problemet më të mëdha,” deklaroi Brown.
Sipas tij, Tottenhami e sheh mbrojtësin e Brightonit, Jan Paul van Hecke, si zëvendësuesin ideal.
“Tottenhami mendon se ka ardhur koha që Romero të largohet, por sigurisht që ai duhet zëvendësuar sepse ka qenë një lojtar i rëndësishëm për ekipin. Van Hecke i plotëson shumë nga kriteret që kërkohen. Ai ka gjatësi, forcë fizike dhe është i mirë edhe me topin në këmbë”, shtoi ai.
Megjithatë, transferimi i holandezit nuk do të jetë i lehtë. Drejtori ekzekutiv i Brighton & Hove Albionit, Paul Barber, konfirmoi së fundmi se klubi ka refuzuar dy oferta nga Tottenhami për Van Hecken.
“Ka shumë interesim për lojtarët tanë më të mirë dhe kjo vlen edhe për Jan Paulin. Po, kemi refuzuar dy oferta nga Tottenhami gjatë javëve të fundit,” tha Barber.
Ai shtoi se çdo marrëveshje duhet të jetë e favorshme si për klubin ashtu edhe për lojtarin.
Ndërkohë, Tottenhami pritet të përforcohet edhe me qendërmbrojtësin argjentinas Marcos Senesi, i cili sipas raportimeve mund t’i bashkohet londinezëve si lojtar i lirë gjatë kësaj vere.