Shkruan: Afrim Kasolli
Në mes të zhvillimeve tjera globale, megjithatë këto ditë befasisht Perëndimi u shpreh me një gjuhë kritike, ndonëse për arsyeje të ndryshme, ndaj Kosovës si dhe po ashtu i dënoi veprimet dhe vendimet e Republika Sërspkës në Bosnje.
Në rastin e parë, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ashtu edhe Bashkimi Evropian në tërësi, por edhe shtete të veçanta të Unionit si Gjermania, apo edhe atyre që tashmë nuk janë pjesë e BE-së si Britania e Madhe, kanë shprehur shqetësimin dhe kritikën e tyre, për moscertifikimin e Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, për zgjedhjet e 9 shkurtit. Sipas tyre, ky proces duhet të bëhet mbi bazë ligjore dhe jo i motivuar nga agjendat momentale të disa përfaqësuesve politikë të KQZ-së.
Pas një fërkimi që kishte ndodhur në Kuvendin e Kosovës, ku krye parlamentari Glauk Konjufca, pat kërkuar nga deputetët e Listës Serbe, që ta lëshojnë sallën e Parlamentit, sepse janë duke i keqpërdorur paratë e taksa paguesve të Kosovës, shtetit të cilin e luftojnë çdo ditë, duke kërkuar nga ta që të shkojnë dhe të rijnë gatitu shefit të tyre Milan Radoiçiq, veprim i KQZ-së, ishte akti i dytë i dramës së njohur tashmë politike e krijimit të percepcionit armiqësor ndërmjet partisë në pushtet dhe Listës Serbe. Natyrisht, vendimi për moscertifikimin e Listës Serbe, u rrëzua nga PZAP(Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ), mirëpo, sikur në rastin e parë kjo fitore e brendshme elektorale e pushtetit kaloi nëpërmjet një kosto shtetërore dhe diplomatike. Duke u shndërruar në lajm edhe të mediave botërore.
Ka qenë e ditur që nga fillimi që kjo nismë nuk mund të ketë sukses. Madje një gjë të tillë e kishte pohuar edhe kryetari i KQZ-së, Kushtrim Radoniqi. Po ashtu, as qëllimi taktik i Vetëvendosjes nuk ka qenë përjashtimi i këtij subjekti politik nga gara elektorale. Por vetëm se si të gjendet një alibi për të maskuar bashkëpunimin e mëhershëm veçanërisht ndërmjet Shefes së Grupit Parlamentar të partisë në pushtet, Mimoza Kuasari-Lila dhe ish nënkryetarit të kësaj liste, Milan Radoiçiq, atëbotë në “Listën e Zezë” të SHBA-ve, për krim të organizuar dhe korrupsion, dhe më vonë të akuzuar për sulmin terrorist dhe paramilitar të 24 shtatorit kundër shtetit të Kosovës. Pra kjo dëshirë e ethshme e pushtetit për t’u spastruar publikisht me çdo kusht nga pesha e mëkatit sekret, e prodhoi edhe një herë një pagim unik Perëndimor ndaj këtyre sjelljeve politike të institucioneve shtetërore.
Një gjuhë të tillë të shteteve perëndimore patëm rastin ta shohim këto ditë vetëm kundër vendimeve të Parlamentit të Republika Serpskas. Me anë të një deklarate të përbashkët të ambasadave të Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës dhe Italisë si dhe të delegacionit të Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në Bosnje e Hercegovinë, kritikuan “konkluzionet e miratuara nga Asambleja Kombëtare e entitetit të Republikës Sërpska” sepse ato sipas këtyre përfaqësive diplomatike “paraqesin kërcënim për rendin kushtetues të Bosnje e Hercegovinës, janë edhe antiDejton dhe minojnë autoritetin e institucioneve, sundimit të ligjit në nivel shtetëror dhe rrugën e vendit drejt integrimit euroatlantik”.
Prandaj, këto lojëra momentale politike në Prishtinë, nëse për asgjë tjetër “meritojnë” të “vlerësohen”, se të paktën kanë dhënë kontribut në unifikimin e Perëndimit si ndaj Kosovës, ashtu edhe ndaj Republika Srpskës, në këtë kohë të përçarjeve globale./tvarbëria/