Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Ukraina: Raketa e re ruse arriti shpejtësinë mbi 13 mijë kilometra në orë

Ukraina: Raketa e re ruse arriti shpejtësinë mbi 13 mijë kilometra në orë

Raketa ruse që goditi qytetin ukrainas Dnipro, të enjten më 21 nëntor, arriti shpejtësinë deri në mbi 13.000 kilometra në orë dhe iu deshën rreth 15 minuta të arrinte cakun pas lëshimit të saj.

Kështu thuhet në vlerësimin e parë publik që Ukraina bëri më 22 nëntor.

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se Moska e goditi një ndërtesë ushtarake ukrainase me një raketë të re me rreze të mesme veprimi. Sipas tij, raketa e njohur si “Oreshnik” është një raketë hipersonike balistike. Ajo, tha Putin, u lëshua si paralajmërim për Perëndimin kundër mbështetjes që i ofron Ukrainës në luftën kundër trupave ruse.

Sulmi ndodhi teksa lufta po i afrohet vitit të tretë dhe në kohën kur Ukraina raportohet se po sulmon caqe brenda Rusinë me raketa me rreze të gjatë veprimi, që i ka marrë nga Perëndimi.

“Koha e fluturimit e kësaj rakete ruse, nga momenti i lëshimit të saj nga raoni Astrakan deri në kohën e goditjes në qytetin e Dnipros, ishte 15 minuta”, tha përmes një deklarate Drejtoria kryesore e Inteligjencës Ushtarake (HUR).

“Raketa ishte e pajisur me gjashtë koka raketash: secila e pajisur me gjashtë nënmunicione. Shpejtësia në pjesën finale të trajektores ishte mbi Mach 11”.

Mach është matës i shpejtësisë supersonike. Mach 11 është i barasvlershëm me rreth 13.600 kilometra në orë.

HUR shtoi se kjo armë me gjasë të jetë nga kompleksi ku prodhohen raketat, Kedr, që sipas zëvendëskryetarit të kësaj drejtorie, Vadym Skibitsky, lidhet me sistemin Oreshnik. Ai tha për mediat ukrainase se kjo raketë për herë të parë ishte testuar në qershor të vitit 2021.

Skibitsky tha se Rusia ka të paktën edhe dhjetë raketa të tilla të cilat do t’i testojë para se të nisë prodhimi në masë i tyre.

Fillimisht, Kievi kishte sugjeruar se Rusia e ka sulmuar me një raketë balistike ndërkontinentale, por zyrtarët amerikanë dhe të NATO-s tha se me gjasë bëhet fjalë për një raketë balisitike me rreze të mesme veprimi.

Ministria e Jashtme e Ukrainës i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të reagojë për këtë sulm.

NATO do të mbajë një takim urgjent me Ukrainën në selinë e aleancës ushtarake perëndimore në Bruksel të martën, më 26 nëntor, për të diskutuar për sulmin e Moskës./REL

Themes by WordPress