Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Ukraina po ndërton centralin bërthamor më të madh në Evropë

Ukraina po ndërton centralin bërthamor më të madh në Evropë

Bombardimet ruse kanë shkatërruar rreth 50% të kapaciteteve ukrainase për prodhimin e energjisë elektrike që nga fundi i marsit, sipas Presidentit Volodymyr Zelenskyy. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Tetiana Kukurika, Ukraina i është drejtuar kompaninë amerikane energjetike, Westinghouse, duke i kërkuar ndihmë për zhvillimin e reaktorëve bërthamorë të gjeneratës së ardhshme për plotësimin e nevojave të energjisë elektrike.

Përpara agresionit të Rusisë në vitin 2022, energjia bërthamore plotësonte gjysmën e nevojave të Ukrainës dhe Kievi varej nga Moska vetëm për karburant dhe shërbime bërthamore.

Lufta i dha fund tregtisë mes dy vendeve. Presidenti Volodymyr Zelenskyy tha se që nga fundi i marsit, sulmet ruse kishin shkatërruar rreth gjysmën e aftësisë së vendit për të prodhuar energji elektrike.

“Situata e burimeve energjetike të Ukrainës ka ndryshuar në mënyrë dramatike që nga pushtimi i centralit bërthamor Zaporizhzhia, pushtimi i pothuajse një të tretës së infrastrukturës së energjisë së gjelbër dhe shkatërrimi i një pjese të madhe të aftësive të prodhimit të energjisë termike”, thotë Stanislav Ignatiev me Shoqatën Ukrainase të Energjisë së Rinovueshme.

Në centralin bërthamor Khmelnytskyi në Ukrainën perëndimore, punonjësit po ndërtojnë dy reaktorë të rinj bërthamorë me ndihmën e gjigantit amerikan të energjisë, firmën Westinghouse. Zëri i Amerikës bisedoi me zotin Andriy KozyUra, drejtor i përgjithshëm të centralit bërthamor Khmelnytskyi.

“Zona e centralit bërthamor është gati për ndërtim, pasi kanë përfunduar proceset e tjera për planifikimin e territorit, logjistikën dhe sistemin e ndërlidhjes”.

Kompania amerikane Westinghouse vepron në Ukrainë prej disa dekadash. Por që nga pushtimi rus, bashkëpunimi është intensifikuar dhe firma amerikane ka ndihmuar në anashkalimin e kompanisë ruse Rosatom, thotë Ministri i Energjisë i Ukrainës, Herman Halushchenko.

“Përpara fillimit të luftës ne gjetëm burime të larmishme furnizimi me lëndë djegëse. Së bashku kemi prodhuar lëndë djegëse për disa reaktorë bërthamorë duke eliminuar monopolin që ka Rosatom në treg. Kemi plane të mëdha dhe të përbashkëta për të ardhmen”.

Firmat Westinghouse dhe Energoatom ranë dakord në vitin 2022 për ndërtimin në Ukrainë të nëntë reaktorëve të rinj bërthamor, bazuar në teknologjinë amerikane.

“Teknologjia më e fundit dhe më moderne, teknologjia më e sigurt me masa sigurie shtesë”, thotë Petro Kotin, shef i firmës ukrainase Energoatom.

Ndërtimi i një reaktori bërthamor kërkon pesë vite dhe ka një kosto prej pesë miliardë dollarësh.

“Ndërtimi është një proces i gjatë. Por furnizimi me energji të përftuar nga centralet me gaz, nga dielli era dhe bioenergjia – kjo është diçka që mund të zbatohet në afat të shkurtër dhe do të ndihmojë gjatë sezonit të dimrit”, thotë Stephan Kushnir, drejtues i bordit të centralit bërthamor.

Centrali Khmelnytskyi do ta zëvendësojë Zaporizhzhia-n, duke u bërë centrali më i madh bërthamor në Evropë, sipas gazetës “Kyiv Independent”. /VOA

Powered by WordPress