Mbështetja perëndimore për Ukrainën ka qenë në krye të agjendës në Konferencën e Sigurisë së Mynihut, një mbledhje e përvitshme e krerëve të shteteve, zyrtarëve, diplomatëve dhe ekspertëve, e cila po zhvillohet në Gjermani.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, përsëriti thirrjet për aleatët perëndimorë për dërgimin sa më të shpejtë në Kiev të armëve, teksa hapi samitin tre-ditor me lidhje video më 17 shkurt.
Ai tha se Rusia nuk duhet të lejohet që të blejë kohë për agresionin e saj, derisa forcat ukrainase po përballen me sulme të shumta në të gjithë linjën e frontit.
“Ne duhet të përshpejtojmë. Ne na duhet shpejtësi – shpejtësi në marrëveshje, shpejtësi në dërgesa…. shpejtësi në vendime për të kufizuar potencialin rus”, tha Zelensky në Konferencën e Sigurisë në Mynih.
Në konferencë po marrin pjesë rreth 40 krerë shtetesh, si dhe politikanë dhe ekspertë të sigurisë nga pothuajse 100 vende, si liderët e Francës dhe Gjermanisë, por edhe nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Gjatë konferencës, kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se mbështetja e shtetit të tij për Ukrainën “është e dizajnuar që të jetë afatgjatë”.
Ndërkaq, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se është jashtëzakonisht e rëndësishme që aleatët perëndimorë të rrisin ndihmën ushtarake në mënyrë që Ukraina të mund të nisë një kundërofensivë kundër Rusisë.
Pushtimi rus i Ukrainës – që ka nisur më 24 shkurt 2022 – mbushë një vit javën e ardhshme./REL
/TV Arbëria