Ushtria ukrainase tha më 2 janar se godet vetëm “caqe ushtarake”, një ditë pasi Rusia e akuzoi Kievin se ka sulmuar me dronë një hotel dhe një kafene në jugun e pushtuar të Ukrainës, duke vrarë 27 persona.
Autoritetet e instaluara nga Rusia në rajonin e Hersonit, në jug të Ukrainës, thanë se të vrarët ishin duke festuar Vitin e Ri, ndërkaq në mesin e viktimave ishin edhe dy fëmijë, duke e përshkruar incidentin si “akt terrorist”.
Hoteli, që Moska thotë se ishte cak i sulmit, gjendet në Horli, një qytezë në Detin e Zi të cilën ushtria ruse e ka pushtuar që në fillim të vitit 2022.
Në komentet e tij për AFP, zëdhënësi i ushtrisë ukrainase, Dmytro Lykhoviy, akuzoi Rusinë se përdor vazhdimisht “dezinormata dhe deklarata të rreme”.
“Forcat e mbrojtjes të Ukrainës respektojnë normat e së drejtës humanitare ndërkombëtare dhe godasin ekskluzivisht objektivat ushtarake të armikut”, tha ai.
Më herët gjatë së premtes, shërbimi ukrainas i inteligjencës tha se Rusia po tenton të orkestrojë “një provokim në shkallë të gjerë me humbje njerëzore”, pa ofruar ndonjë dëshmi për këtë pretendim.
Akuzat vijnë në një moment të rëndësishëm të konfliktit gati katërvjeçar, më i përgjakshmi në Evropë që nga Lufta e Dytë Borërore.
Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 2022. Që atëherë, Moska ka zaptuar pjesë të mëdha të Ukrainës lindore dhe jugore, teksa sulmon qytetet dhe fshatrat ukrainas çdo ditë me dronë dhe raketa, duke shkaktuar edhe vdekje të civilëve.