UEFA ka konfirmuar se ka hapur një hetim për yllin e Spanjës, Rodri Hernandez, pas festës që bënë për titullin e fituar të Kampionatit Evropian “Gjermani 2024”.
Mes festës së çmendur pas rikthimit të tyre në Madrid, një moment i pazakontë ndodhi, pasi mesfushori u incizua duke kënduar ‘Gjibraltari është Spanjë’ në sytë e mijëra tifozëve që ishin mbledhur në kryeqytetin spanjoll.
Atij iu bashkua edhe kapiteni Alvaro Morata në mikrofon, së bashku me lojtarët e tjerë, para se Morata të bënte me dije se Rodri luan në Angli – ‘Nuk më intereson’ ishte përgjigja e tij.
Një ditë më pas, Federata e Futbollit të Gjibraltarit bëri një ankesë formale në drejtim të UEFA-s pas këtij incidenti.
Minsitri i Gjibraltarit, Fabian Picardo, lëshoi një qortim edhe më të fortë në rrjetet sociale, duke e cilësuar këtë incident si të ‘neveritshëm’.
Teksa zemërimi po vazhdon të rritet, UEFA ka intervenuar, me një hetim që është hapur në lidhje me akuzat që janë sjellë ndaj Rodrit.