Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > ​U përurua një shkollë e re dhe u vu gurëthemeli i një Palestre Sportive në Komunën e Istogut

​U përurua një shkollë e re dhe u vu gurëthemeli i një Palestre Sportive në Komunën e Istogut

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci bashkë me kryetarin e Komunës së Istogut, Ilir Ferati kanë përuruar objektin e ri të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët ” Fan Noli” në fshatin Llukavc dhe kanë vën gurëthemelin e Palestrës Sportive në Gjimnazin “Haxhi Zeka” në Istog.

Ministrja Nagavci fillimisht është takuar me kryetarin Ferati dhe bashkëpunëtorët e tij, me të cilët ka biseduar për gjendjen e arsimit në këtë komunë dhe nevojën e bashkëpunimit në mes të nivelit qendror dhe atij lokal, për realizimin me sukses të projekteve.

Nagavci me rastin e vënies së gurëthemelit ka theksuar se, krahas punës që po bëhet në ngritjen e cilësisë në arsim, MAShTI po investon edhe më tutje në infrastrukturë shkollore dhe atë përcjellëse, për të siguruar kushte sa më të mira për nxënësit tanë.

Ndërsa, në ceremoninë e përurimit të objektit të ri të shkollës “Fan Noli”, në fshatin Llukavc, Nagavci pasi uroi nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit për ndërtimin e shkollës së re, theksoi se, ndërtimi i objekteve të reja shkollore i kontribuon mësimdhënies së avancuar dhe edukimit të gjeneratave të reja në frymën bashkëkohore, të përgatitura për zhvillimin e vendit.

Ndryshe, ndërtimi i shkollës në fshatin Llukavc është investim i Ministrisë së Arsimit, në vlerë rreth 500 mijë euro, ndërsa objekti i Palestrës Sportive do të kushtojë mbi 300 mijë euro. /TV Arbëria 

Powered by WordPress