Sot në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike u zhvillua testi me shkrim për kandidatët që synojnë pozitat e prokurorëve të rinj të Shtetit. Ky test është pjesë e procesit të rekrutimit për 21 vende pune në prokuroritë themelore të Kosovës.
Në garë morën pjesë 153 kandidatë, prej të cilëve 71 gra dhe 82 burra. Testi u mbajt në prani të vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë, përfshirë Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), për të siguruar një proces transparent dhe me integritet.
Mbikëqyrjen e procesit e kryesoi Ardian Hajdaraj, Kryetar i Komisionit për Rekrutimin e Prokurorëve të Shtetit. Rezultatet e testit priten të shpallen së shpejti, ndërsa kandidatët më të suksesshëm do të ftohen për intervista me gojë. Procesi do të përmbyllet me emërimin zyrtar të prokurorëve të rinj.