Shkruan: Agron Hoti
A erdhëm vërtetë në atë pikë, ku njerëzit nuk duan më as të kandidojnë për deputetë?! Po flasim për njerëz të arsyeshëm e me rezon, jo për tallava. Jo sepse politika është bërë më e ndershme, por sepse është bërë aq e gërditshme, sa edhe ata që dikur shtyheshin për një vend në listë, sot e shohin si barrë e turp publik.
Çdo legjislaturë po del më e dobët, më e paaftë dhe më e zhytur në skandale se ajo para saj. Çdo qeveri po e ul edhe më poshtë standardin e qeverisjes, derisa posti i deputetit, që dikur duhej të përfaqësonte dinjitetin e qytetarit dhe interesin publik, është katandisur në simbol të servilizmit partiak, analfabetizmit dhe pazareve politike. E dhimbshme vetëm ta mendosh, se lëre më edhe ta përjetosh nën lëkurë.
Aq shumë është zhvlerësuar pozita për deputet, sa partitë po kërkojnë kandidatë me fenerë për t’i mbushur listat. Jo sepse mungojnë qytetarët e aftë, por sepse njerëzit me integritet nuk duan të bëhen pjesë e një sistemi që i përpin, i komprometon dhe i shndërron në dekor të interesave të ngushta partiake.
Pushtetet e kaluara e mbollën këtë kalbëzim me korrupsion të fshehur pas buzëqeshjeve dhe propagandës. Pushteti aktual jo vetëm që nuk e ndali, por e normalizoi dhe e ekspozoi pa pikë turpi. Korrupsioni nuk fshihet më; ai shfaqet hapur, mbrohet publikisht dhe justifikohet si diçka e zakonshme sa askush më nuk flet më kundër tij, madje as në fushata elektorale.
Sa më thellë po futet vendi në krizë institucionale, ekonomike dhe morale, aq më të dobët po bëhen emrat që po na serviren si përfaqësues të popullit. Në vend që situata e rëndë të nxjerrë në pah njerëzit më të zotë, më të ndershëm dhe më të përgjegjshëm, po ndodh e kundërta: po promovohen më të dëgjueshmit, më servilët dhe më të gatshmit për t’iu nënshtruar interesave të grixhës partiake.
Tragjedia më e madhe nuk është se partitë po kanë vështirësi të gjejnë kandidatë. Tragjedia është se qytetarët po kanë gjithnjë e më pak arsye të besojnë se ata që kandidojnë mund të sjellin ndonjë ndryshim. Kur politika i largon njerëzit e mirë dhe i shpërblen kalbjen dhe bindjen e verbër, atëherë nuk kemi më vetëm krizë qeverisjeje; kemi krizë të vetë demokracisë.