Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Maqedonci: Dislokimi enorm i brigadave serbe në kufi me Kosovën, rrezik për gjithë Ballkanin

Maqedonci: Dislokimi enorm i brigadave serbe në kufi me Kosovën, rrezik për gjithë Ballkanin

Kosova po përballet me një dislokim enorm të ushtrisë, policisë dhe xhandarmërisë serbe në jug të Serbisë, kryesisht përgjatë vijës kufitare, ka thënë ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Përveç brigadave, thotë se Serbia ka të dislokuara në kufi me Kosovën edhe kapacitete të tjera që janë blerë nga Kina dhe Rusia dhe se kjo paraqet kërcënim jo vetëm për Kosovën, por për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sipas tij, një rrezik i tillë është shumë i lartë.

”’E kemi një dislokim enorm të ushtrisë, policisë dhe xhandarmërisë serbe në jug të Serbisë, kryesisht përgjatë vijës kufitare me Republikën e Kosovës. Përveç këtyre tri brigadave, ka edhe formacione të tjera luftarake të ushtrisë serbe që janë të dislokuara në jug të territorit të Serbisë dhe kryesisht janë në bazat në Rashkë, Nish dhe Vranjë, pra përgjatë gjithë vijës kufitare të vendit tonë dhe këto 48 baza që i theksuat janë një zgjatje operacionale e këtyre tri brigadave të ushtrisë serbe e që aktualisht janë në jug të territorit të Serbisë dhe vetëm 1 nga 4 brigadat e ushtrisë së Serbisë është e dislokuar në veri të territorit të Serbisë, më saktësisht në kufi me Republikën e Kroacisë”, tha ai.

Sipas tij shumica e kapaciteteve luftarake, duke përfshirë edhe kapacitetet që janë blerë nga Kina dhe Rusia janë të dislokuara në jug të territorit të Serbisë, dhe kjo nuk paraqet kërcënim vetëm për vendin tonë, por, për të gjithë regjionin e Ballkanit Perëndimorë dhe për vendet tjera që kufizohen me Republikën e Kosovës.

”Duke i shtuar kësaj edhe veprimet e fundit që janë ndërmarrë nga grupe të armatosura paramilitare të udhëzuara nga strukturat e sigurisë së Serbisë, ky rrezik është shumë i lartë”, tha Maqedonci për The Geopost.

Maqedonci ka folur edhe për ndikimin rus në Ballkan, për çka thotë se informacioni është arma që Rusia përdorë për të gjunjëzuar një shtet. E kjo, siç thotë ai, po gjen shtrirje duke pasur si bazament strukturat e inteligjencës së Serbisë, të mbështetura edhe nga strukturat e inteligjencës së Rusisë.

/TV Arbëria