Në Gjykatën themelore në Prishtinë është mbajtur seanca e dhënies së fjalës përfundimtare për rastin e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca i cili akuzohet për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.
Në këtë seancë të dy palët në procedurë kanë deklaruar fjalën përfundimtare të tyre në lidhje me situatën.
Prokurori Besart Mustafa, gjatë elaborimit të fjalës përfundimtare tha se bazuar në provat materiale dhe profesionale të administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, është vërtetuar se Konjufca ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Prokurori Mustafa shtoi se nga raporti i vendit të ngjarjes, është vërtetuar se Policia ka dalë në vendngjarje dhe se afër vendit ku ka qëndruar i pandehuri Konjufca, është gjetur një bombolë e gazit lotsjellës.
Andaj, në fund ai kërkoi që Konjufca të shpallet fajtor për veprën që i vihet në barrë dhe të dënohet sipas ligjit.
Avokatja mbrojtëse e Konjufcës, Arbnora Zeqiri tha se prokuroria ka dështuar të zbulojë llojin e mjetit që është përdorur në mbledhjen e Kuvendit dhe në mungesë të një fakti të tillë kjo aktakuzë nuk do të kalojë.
Ajo tha se edhe dëshmitarët te cilët kanë qenë pjesë e rastit nuk e kanë pasur cilësinë e të dëmtuarve në këtë proces.
Zeqiri ka kërkuar që ndaj të pandehurit Konjufcës të marrë aktgjykim lirues, kurse Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka aprovuar fjalën përfundimtare të avokates.
Gjykata e ka shpallur të përfunduar çështjen penale për përdorimin e armës në Kuvendin e Kosovës dhe seanca përfundimtare do të mbahet më 26 shkurt në ora 15:00.