Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > TV Arbëria e dënon gjuhën e Kurtit, i cilëson të papranueshme sulmet ndaj medieve

TV Arbëria e dënon gjuhën e Kurtit, i cilëson të papranueshme sulmet ndaj medieve

TV Arbëria dënon gjuhën intimiduese të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti kundër medieve, që i rendit ato edhe përkrah Serbisë.

“Kurrë nuk kanë qenë më shumë media kaq shumë kundër qeverisë sesa në këtë katër vjeçarin tonë. Unë besoj se kjo është për dy arsye apo ndoshta shkaqe themelore. E para, sepse ne nuk i paguajmë. E dyta, sepse tash mediat nuk frikësohen më nga pushteti”, deklaroi Kurti dje kur mori mbëshetjen e partiakëve për të rikandiduar për kryeministër.

TV Arbëria është njëri nga mediumet e Kosovës. Me përgjegjësi të plotë deklarojmë se nga Qeveria Kurti sikundër edhe nga qeveritë paraprake, mediumi dhe stafi ynë në asnjë rast nuk kanë kërkuar para që ta kryejnë punën profesionale. Kryeministër, ne raportojmë dhe nuk jemi palë. Deklarata juaj z. Kurti nuk korrespodon me frymën dhe filozofinë e një shoqërie vërtetë të lirë e demokratike, ku mediet janë zëri dhe shpirti i kësaj lirie. Sulmet nën brez me aludime të përgjithësuara se kritika e medieve ndaj jush është e lidhur me interes financiar, i vë gazetarët padyshim në shënjestër të sulmeve nga përkrahësit tuaj.

Reflektimi juaj z. Kurti është mëse i domosdoshëm në mënyrë që mediet dhe stafin e tyre të mos e bëni tabelë qitjeje për asnjë arsye, cilado qoftë ajo.

Kosova është një vend i lirë dhe demokratik, ku liria e shprehjes është e garantuar me Kushtetutë. Ju z. Kurti përfaqësoni njërin nga pushtetet e kësaj demokracie dhe refuzojmë t’i subordinohemi frikës që po e instaloni duke tentuar të projektoni inxhineringun e lajmeve se ku nis interesi kombëtar e ku fillon të cenohet ai. /TV Arbëria