Kryeministri polak Donald Tusk ka paralajmëruar se Rusia po planifikon sulme hibride duke përdorur dronë ose raketa kundër vendeve evropiane që mbështesin Ukrainën, përfshirë Poloninë.
Tusk deklaroi se Moska ka gjasa të përpiqet t’i paraqesë këto sulme si “aksidente” për të minuar gatishmërinë e anëtarëve të NATO-s për të reaguar dhe për të ndihmuar vendin e shënjestruar.
“Ekziston një rrezik real që dronët ose lloje të tjera predhash të hyjnë në territorin e një ose më shumë vendeve në krahun lindor dhe madje të shkaktojnë shkatërrim,” tha Tusk në një fjalim para parlamentit polak. Ai shtoi se më pas do të pretendohej se bëhej fjalë thjesht për një aksident dhe se NATO-ja nuk kishte baza për të reaguar.
Kryeministri polak thekson se kërcënimi po shtohet nga përdorimi gjithnjë e më i shpeshtë i dronëve me motorë reaktivë, të cilët fluturojnë më lart e më shpejt dhe janë më të vështirë për t’u zbuluar. Ai vuri në dukje se paralajmërimet e tij u bënë më specifike pas marrjes së informacioneve të inteligjencës nga NATO-ja, Ukraina dhe SHBA-ja, përfshirë CIA-n.