Turqia ka rënë dakord që të furnizojë Egjiptin me dronët e saj më të popullarizuar, ka njoftuar ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan.
Ky veprim vjen pasi të dy vendet kanë normalizuar marrëdhëniet ndërmjet tyre.
Presidenti turk, Reccep Tayyip Erdogan, më 14 shkurt do të udhëtojë në Egjipt për të realizuar vizitën e parë – pas përmirësimit të marrëdhënieve – me homologun e tij Abdel Fattah al-Sisi.
Në takim do të diskutohen çështje dypalëshe rajonale si tregtia, energjia, dhe siguria, ka bërë të ditur ministri turk, shkruan yahoonews.
“Normalizimi i marrëdhënieve tona është i rëndësishëm që Egjipti të ketë teknologji të caktuara. Ne kemi një marrëveshje për t’i ofruar si mjete ajrore pa pilot dhe teknologji të tjera”, tha Fidan, pa elaboruar më tej detaje nga pakti.
Kërkesa ndërkombëtare për dronët turq është rritur pas ndikimit nga konfliktet në Siri, Libi, Azerbajxhan, dhe Ukrainë.
Ndryshe, Etiopia si një nga shtetet me marrëdhëniet më të ftohta me Egjiptin, është një nga blerësit e dronëve turq. /Telegrafi/