Blog Post

Arbëria TV > Bota > Turqia dënon vrasjen e liderit të Hamasit: Izraeli s’e ka ndërmend të arrijë paqen, sulmi synon përhapjen e luftës rajonale

Turqia dënon vrasjen e liderit të Hamasit: Izraeli s’e ka ndërmend të arrijë paqen, sulmi synon përhapjen e luftës rajonale

Ismail Haniyeh, lideri politik i Hamasit, është vrarë nga një sulm ajror në Teheran në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, tha grupi, vetëm disa orë pasi Izraeli pretendoi se kishte vrarë një komandant të lartë të Hezbollahut në Bejrut.

Hamasi fajësoi Izraelin për vdekjen e Haniyeh, të cilën një zyrtar e përshkroi si një “përshkallëzim të rëndë”. Ai tha se Haniyeh u vra në “rezidencën e tij në Teheran, pasi mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri iranian”.

Turqia ka dënuar vrasjen e Haniyeh dhe tha se sulmi kishte për qëllim përhapjen e luftës në Gaza në nivel rajonal, raporton Reuters, duke cituar një deklaratë nga ministria e Jashtme turke.

“Po shihet edhe një herë se qeveria e [kryeministrit izraelit Benjamin] Netanyahu nuk ka ndërmend të arrijë paqen. Ky sulm synon gjithashtu të përhapë luftën në Gaza në të gjithë rajonin. Nëse komuniteti ndërkombëtar nuk merr masa për të ndaluar Izraelin, rajoni ynë do të përballet me konflikte shumë më të mëdha”, thuhet në deklaratë.

“Ne i shprehim ngushëllimet tona popullit palestinez që ka sakrifikuar qindra mijëra martirë si Haniyeh për të jetuar në paqe në atdheun e tyre, nën çatinë e shtetit të tyre”, tha Ministria e Jashtme turke.