Shifrat e ofruara nga Instituti i Statistikave kanë treguar për një nisje të mbarë të turizmit, në fillim të vitit 2023.
Numri i shtetasve të huaj që kanë vizituar Shqipërinë gjatë muajit janar është rritur me 94.2%, krahasuar me janarin 2022. Në janar 2023, rajoni me numrin më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri është rajoni i Evropës me 366.257 shtetas, pasuar nga Amerika dhe Azia Lindore /Paqësori, përkatësisht me 7.051 dhe 1.308 shtetas.
Ndërkohë, me rritje është dhe numri i shtetasve shqiptarë që kanë dalë nga Shqipëria gjatë muajit të kaluar, shkruan Rtsh Kështu, në janar 2023 janë larguar nga vendi 542.113 shqiptarë dhe krahasuar me janar 2022 ky numër është rritur me 45.8 %.
Viti 2022 ka rezultuar një ndër më të mbarët për Shqipërinë pas pandemisë. Sipas të dhënave të Instat, numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri gjatë vitit 2022 është 7.5 milionë, duke u rritur me 32.6 %, në krahasim me vitin 2021.
Autoritetet shqiptare të turizmit synojnë një turizëm gjithëvjetor në Shqipëri me rreth 10 milionë vizitorë në vit, shifër kjo sipas tyre, mjaft ambicioze.
/TV Arbëria