Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Turbullira në Ibër-Lepenc lë pa ujë disa qytete – KRU “Prishtina” reagon pas raportimit të TV Arbëria

Turbullira në Ibër-Lepenc lë pa ujë disa qytete – KRU “Prishtina” reagon pas raportimit të TV Arbëria

Mungesa dhe reduktimi i furnizimit me ujë të pijshëm ka prekur sot disa komuna të Kosovës, si pasojë e turbullirës së ujit në kanalin e Ibër-Lepencit, nga i cili furnizohet impianti për trajtimin e ujit në Shkabaj, shkruan TV Arbëria.

Sipas njoftimit zyrtar të Kompania Rajonale e Ujësjellësit Prishtina, për shkak të rritjes së nivelit të turbullirës në këtë kanal, Impianti i Trajtimit të Ujit (ITU) në Shkabaj ka dalë përkohësisht jashtë funksionit, duke shkaktuar ndërprerje dhe reduktime në furnizim.

Zonat më të prekura nga kjo situatë janë qytetet:

  • Fushë Kosova

  • Obiliqi

  • Prishtina

  • Podujeva

Autoritetet bëjnë të ditur se, bazuar në monitorimin e vazhdueshëm të nivelit të turbullirës, pritet që gjatë ditës ITU Shkabaj të rifillojë procesin e trajtimit të ujit, ndërsa normalizimi gradual i furnizimit të arrihet deri nesër.

Ndërkohë, pas reagimit dhe raportimit publik të bërë nga TV Arbëria lidhur me situatën e krijuar, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka reaguar menjëherë duke publikuar sqarime shtesë për qytetarët.

Megjithatë, qytetarët kanë ngritur shqetësime pasi në asnjërën nga komunikatat zyrtare nuk është kërkuar falje për informacionet e mëhershme, ku ishte paralajmëruar se normalizimi i furnizimit me ujë të pijshëm do të ndodhte dje në orën 20:00 — gjë që nuk rezultoi e saktë, duke krijuar konfuzion dhe pakënaqësi te konsumatorët.

/TV Arbëria