Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Shqipëri > Tuneli i Llogarasë, kryevepra që lidh për 10 minuta Dukatin me Palasën

Tuneli i Llogarasë, kryevepra që lidh për 10 minuta Dukatin me Palasën

Për ata që prej vitesh kanë përshkuar Qafën e Llogarasë edhe për arsye pune, kjo ndoshta është një mrekulli. Turizmi është përfituesi më i madh i këtij kalimi, që i jep një dimension tjetër rivierës shqiptare.

Nëse me një ecje normale nga Dukati në Dhërmi do të duhen rreth 40 minuta udhëtim apo ndoshta edhe më shumë, nëpërmjet tunelit, koha maksimale për të shkelur në bregdetin kristalor të Dhërmiut është 10 apo 12 minuta.

Drejtuesi i ARRSH, Gentian Gjyli, ndalet për të na shpjeguar disa nga detajet më interesante të këtij investimi prej 180 milionë euro.

Sot që flasim është vepra më e rëndësishme e infrastrukturës shqiptare. Sot jemi dy muaj para afatit. Kontraktori bëri çmos, që ta bënte të kalueshëm brenda këtij sezoni veror. Tunelet kanë një specifikë të veçantë që në gjeologji. Kemi pasur material gëlqeror të pastër me disa kavitete të vogla, që kanë kaluar me sukses. Ndërsa tuneli i Kalimashit ka pasur një gjeologji tjetër me shumë vështirësi dhe realizimi ka qenë më i gjatë. Tani kemi vetëm detajet e fundit, pastrimet, tabelat, vijëzimet dhe më datë 5 korrik do të jetë i kalueshëm me siguri të plotë për qarkulluesit e rrugës. Në kushte normale ky tunel shkurton rreth 30 min, në kushte trafiku deri në 45 minuta apo 1 orë,” tha z. Gjyli.

Tuneli i dytë nuk do të ketë të njëjtët parametra me kryesorin, por ai do të shërbejë vetëm si një tunel për emergjencat, pasi aksi kryesor dhe i vetëm i qarkullimit në ditë normale do të jetë vetëm një, tuneli kryesor.

Gjithsesi, punimet edhe në këtë pjesë vijojnë, ndërsa çimentimi ka përfunduar.

Rikthehemi në aksin kryesor për të vijuar rrugën e kthimit, një ndjesi fantastike nëse mendon që jemi duke përshkuar në zemrën e një mali, që për shqiptarët ka personifikuar barrierën ndarëse me mrekullinë e bregdetit të Jonit.

Themes by WordPress