Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Sport > Thaqi komenton ftesën e munguar nga Përfaqësuesja: Fitoren ndaj Dinamos ia dedikojmë Policisë së Kosovës

Thaqi komenton ftesën e munguar nga Përfaqësuesja: Fitoren ndaj Dinamos ia dedikojmë Policisë së Kosovës

Ballkani bëri të “pamundurën” duke befasuar Dinamo Zagreb në “Fadil Vokrri”.

Motivi dhe dëshira maksimale ishte faktori kryeson në triumfin ndaj favoritit të Grupit C.

Mbrojtësi i kampionit të Kosovës, Armend Thaqi në një intervistë për lajmi.net ka folur për fitoren e madhe.

“Ka qenë ndeshje shumë e vështirë sepse Dinamo është kundërshtari më i fortë i grupit dhe fuqi në futboll, mirëpo me motivim dhe me dëshirë maksimale arritëm një rezultat fantastik”, tha Armend Thaqi.

Pas sulmit terroristë në Banjskë, Thaqi fitoren ia dedikoi policëve të Kosovës.

Në këtë sulm e humbi jetën polici tashmë hero i Kosovës, Afrim Bunjaku.

“Një fitore që është për krejt tifozët e futbollit të Kosovës sepse atje jemi të gjithë bashkë, e në veçanti heronjve tanë Policëve që ishin në gjendje edhe jetën ta japin për Kosovën”, ka shtuar ai.

Ballkani pasi mposhti Dinamo Zagrebin 2:0 është ngjitur në vendin e dytë në Grupin C, mbrapa vetëm Viktoria Plezen, derisa skuadra kroate renditet e treta.

30-vjeçari ka qenë një nga lojtarët kryesor në suksesin e Ballkanit, por i ka munguar ftesa nga Përfaqësuesja e Kosovës.

Thaqi ka theksuar se ai është i gatshëm të mbrojë ngjyrat e Kosovës kurdo që nevojitet.

“Për derisa të jem në futboll dhe të kem shëndetin e formë të mirë gjithmonë do të jem i gatshëm për Kosovën. Mirëpo e them prapë është selektori që vendos”.

Trajneri i Kosovës, Primoz Gliha, për ndeshjet e tetorit ka ftuar dy lojtarë të Ballkanit, Qëndrim Zyba dhe Lumbardh Dellova.

“Dardanët” do të përballen me Andorrën në udhëtim më 12 tetor, ndërkohë që tri ditë më vonë luajnë në stadiumin “Fadil Vokrri” kundër Izraelit. 

/TV Arbëria

Powered by WordPress